Lajme

Spitali i Pejës jep detaje për të lënduarit nga vetaksidenti me fatalitet në Dollc të Klinës

Spitali i Përgjithshëm në Pejë ka dhënë detaje lidhur me gjendjen e të lënduarve nga vetaksidenti i rëndë që ndodhi në orët e hershme të mëngjesit në fshatin Dollc të Klinës, ku një person humbi jetën dhe katër të tjerë u lënduan.

Sipas Policisë së Kosovës, aksidenti ka ndodhur rreth orës 04:55, ndërsa në vendin e ngjarjes kanë dalë njësitet e Njësisë Rajonale të Komunikacionit Rrugor.

Policia bëri të ditur se viktima ka ndërruar jetë në vendin e ngjarjes, ndërsa vdekja është konstatuar nga ekipi mjekësor.

Katër personat e lënduar janë transportuar për trajtim në Spitalin Rajonal të Pejës dhe, sipas mjekëve, ndodhen jashtë rrezikut për jetën.

Nga Spitali i Përgjithshëm në Pejë është konfirmuar se të lënduarit kanë marrë trajtimin e nevojshëm mjekësor. Njëri prej tyre është dërguar për trajtim të mëtejmë në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës (QKUK), një tjetër vazhdon trajtimin në Pejë, ndërsa dy persona janë liruar në shtëpi në gjendje stabile.

Spitali gjithashtu ka bërë të ditur se personi që humbi jetën nuk është dërguar në këtë institucion shëndetësor.

Të Ngjashme