Jeta Statovci nga LDK-ja, ka vlerësuar se gjatë viteve të fundit janë ndërmarrë hapa pozitivë në veri të Kosovës, duke theksuar se meritat për këto zhvillime u takojnë si kryeministrit në detyrë Albin Kurti, ashtu edhe ish-presidentes Vjosa Osmani.
Statovci tha se nuk distancohet nga deklaratat e mëhershme që ka bërë për çështjen e veriut, duke theksuar se një pjesë e proceseve dhe vendimmarrjeve ka qenë edhe vetë ajo.
“Nuk distancohem nga asnjë deklaratë që e kam thënë për çështjen e veriut. Shumica e të cilave i kam potencuar, janë çështje të cilat dhe unë pjesë e të cilave kam qenë pjesë e vendimmarrjeve. Ka pasur hapa pozitivë, në këtë rast kanë kontribuar të dy figurat si z.Kurti ashtu edhe zonja Osmani”, deklaroi ajo në emisionin “Info Nata” në Tëvë1.
Sipas Statovcit, ish-presidentja Osmani ka pasur komunikim të vazhdueshëm me Shtetet e Bashkuara të Amerikës në momentet kur situata e sigurisë në veri ka qenë më e ndjeshme.
“Ne e dimë që çështja e karshi stabilitetit në vend në pjesën e veriut kanë qenë nga presidentja Osmani në komunikim të vazhdueshëm me Shtëpinë e Bardhë. Kur ushtria paralimitare serbe është vendosur afër kufirit të Kosovës komunikimi ka qenë direkt linja Presidencë e Shtëpi e Bardhë, e cila lëshon edhe deklaratë që trupat të tërhiqen për arsye që ka një prezencë të paparë më herët. Kanë qenë hapa nga dy palët, të cilët unë i përshëndes kur janë në raport me interesin publik”, deklaroi ajo.
Deputetja e LDK-së vlerësoi se në njërën anë është punuar nga Qeveria në terren, ndërsa në anën tjetër është ruajtur partneriteti me SHBA-në nga Presidenca, të cilin e konsideroi thelbësor për sigurinë e Kosovës.
“Në një rrafsh është punuar nga Qeveria dhe në rrafshin tjetër është mirëmbajtur raporti me SHBA-në, të cilët kanë një rol shumë të rëndësishëm në çështjen e sigurisë së brendshme”, u shpreh Statovci.
