Jeta Statovci nga LDK-ja, ka vlerësuar se gjatë viteve të fundit janë ndërmarrë hapa pozitivë në veri të Kosovës, duke theksuar se meritat për këto zhvillime u takojnë si kryeministrit në detyrë Albin Kurti, ashtu edhe ish-presidentes Vjosa Osmani.
Statovci tha se nuk distancohet nga deklaratat e mëhershme që ka bërë për çështjen e veriut, duke theksuar se një pjesë e proceseve dhe vendimmarrjeve ka qenë edhe vetë ajo.
“Nuk distancohem nga asnjë deklaratë që e kam thënë për çështjen e veriut. Shumica e të cilave i kam potencuar, janë çështje të cilat dhe unë pjesë e të cilave kam qenë pjesë e vendimmarrjeve. Ka pasur hapa pozitivë, në këtë rast kanë kontribuar të dy figurat si z.Kurti ashtu edhe zonja Osmani”, deklaroi ajo në emisionin “Info Nata” në Tëvë1.
Sipas Statovcit, ish-presidentja Osmani ka pasur komunikim të vazhdueshëm me Shtetet e Bashkuara të Amerikës në momentet kur situata e sigurisë në veri ka qenë më e ndjeshme.
“Ne e dimë që çështja e karshi stabilitetit në vend në pjesën e veriut kanë qenë nga presidentja Osmani në komunikim të vazhdueshëm me Shtëpinë e Bardhë. Kur ushtria paralimitare serbe është vendosur afër kufirit të Kosovës komunikimi ka qenë direkt linja Presidencë e Shtëpi e Bardhë, e cila lëshon edhe deklaratë që trupat të tërhiqen për arsye që ka një prezencë të paparë më herët. Kanë qenë hapa nga dy palët, të cilët unë i përshëndes kur janë në raport me interesin publik”, deklaroi ajo.
Ajo vlerësoi se në njërën anë është punuar nga Qeveria në terren, ndërsa në anën tjetër është ruajtur partneriteti me SHBA-në nga Presidenca, të cilin e konsideroi thelbësor për sigurinë e Kosovës.
“Në një rrafsh është punuar nga Qeveria dhe në rrafshin tjetër është mirëmbajtur raporti me SHBA-në, të cilët kanë një rol shumë të rëndësishëm në çështjen e sigurisë së brendshme”, u shpreh Statovci.
