Një studim i ri i publikuar në revistën shkencore The Lancet ka treguar se vaksina kundër virusit HPV ka sjellë rezultate historike në luftën kundër kancerit të qafës së mitrës, duke reduktuar në zero numrin e vdekjeve tek gratë e reja të vaksinuara në Angli.
Sipas analizës së realizuar nga studiues të Universitetit Queen Mary në Londër, gjatë periudhës 2020-2024 nuk është regjistruar asnjë vdekje nga kanceri i qafës së mitrës tek gratë e moshës 20-24 vjeç. Ekspertët vlerësojnë se, pa vaksinimin, do të priteshin rreth 23 vdekje në këtë grupmoshë.
Vaksina kundër HPV-së iu ofrua për herë të parë vajzave në moshë shkollore në vitin 2008. Studiuesit llogarisin se deri më tani ajo ka shpëtuar rreth 200 jetë në Angli.
“Është e jashtëzakonshme të mendosh se një vaksinë e vetme mund të eliminojë pothuajse një lloj të caktuar kanceri,” deklaroi profesori Peter Sasieni, drejtues i studimit.
Studimi tregon gjithashtu se vajzat që janë vaksinuar në moshën 12 ose 13-vjeçare kanë tashmë një rrezik pothuajse zero për të humbur jetën nga kjo sëmundje para moshës 30-vjeçare. Para fillimit të programit të vaksinimit, regjistroheshin rreth 20 vdekje çdo vit në këtë grupmoshë.
Kanceri i qafës së mitrës mbetet ende një nga format më të zakonshme të kancerit tek gratë në Mbretërinë e Bashkuar, me rreth 3.300 raste të reja të diagnostikuara çdo vit. Rreth 99% e rasteve lidhen me virusin HPV, i cili transmetohet përmes kontaktit të ngushtë lëkurë më lëkurë.
Organizata Cancer Research UK e cilësoi studimin si një “moment historik”, duke theksuar se për herë të parë provohet qartë se vaksina jo vetëm parandalon kancerin, por edhe shpëton jetë.
Megjithatë, ekspertët paralajmërojnë se normat e vaksinimit në Angli kanë rënë nën nivelin e rekomanduar nga Organizata Botërore e Shëndetësisë. Aktualisht, 76% e vajzave vaksinohen deri në moshën 15-vjeçare, ndërsa OBSH rekomandon një mbulim prej të paktën 90% për eliminimin e plotë të kancerit të qafës së mitrës.
Autoritetet britanike kanë vendosur si objektiv eliminimin e këtij lloji kanceri si problem i shëndetit publik deri në vitin 2040, ndërsa fushatat e vaksinimit dhe programet e depistimit vazhdojnë në të gjithë vendin.
Që prej vitit 2019, vaksina HPV u ofrohet edhe djemve, duke i mbrojtur ata nga disa forma të kancerit dhe duke reduktuar përhapjen e virusit në popullatë.
