Lajme

Kurti shpreh ngushëllime për katër viktimat e aksidentit tragjik në Greqi

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka shprehur pikëllimin e tij për vdekjen tragjike të katër personave, mes tyre edhe tre shqiptarë, në një aksident në Greqi.

Përmes një shkrimi në Facebook, Kurti kujtoi avokaten e re shqiptaro-amerikane, Florida Hoxha, me të cilën ishte takuar vitin e kaluar në New York, gjatë vizitës zyrtare për Javën e Nivelit të Lartë të Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së.

Kurti tregoi se ishte ftuar nga Albanian Professionals and Entrepreneurs Network (APEN) për një bashkëbisedim me pjesëtarët e diasporës shqiptare, ku Florida Hoxha ishte një nga moderatoret e aktivitetit.

Postim i plotë:

Vitin e kaluar në New York, në kuadër të vizitës sime zyrtare për Javën e Nivelit të Lartë të Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së, pata nderin që të ftohem nga Albanian Professionals and Entrepreneurs Network (APEN) për një bashkëbisedim me pjesëtarët e mërgatës shqiptare në rajon. Ndër moderatorët e këtij eventi ishte Florida Hoxha, një avokate e re shqiptaro amerikane, krenari e diasporës sonë dhe shtyllë e komunitetit dhe profesionit të saj.

Me pikëllim të thellë kam marrë lajmin që, në fund të muajit të kaluar, Florida humbi jetën në një aksident tragjik në Greqi, bashkë me burrin Ian Kirkpatrick, vëllain Florin Hoxha dhe gruan e vëllait Eris Cani, e cila ishte në muajin e pestë të shtatzënisë.

Vetëm disa orë pata mundësi të njihesha me Floridën dhe të tjerët në audiencë, ku morën pjesë edhe Florini dhe Erisi. Por edhe në këtë kohë të shkurtër ishin të dukshme ato veçori që e kanë bërë Floridën kaq të dashur nga miqtë, kolegët dhe klientët e saj: optimizmi dhe idealizimi, respekti ndaj të gjithëve si njerëz të barabartë dhe një përkushtim për të ndërtuar ura të qëndrueshme midis mërgimtarëve tanë në ShBA dhe vendeve të tyre të origjinës.

Florida, Ian, Florini dhe Erisi nuk janë më në mesin tonë. Kjo është një humbje e madhe për të gjithë ata që janë prekur nga këta katër profesionistë të rinj, të cilët kanë kontribuar kaq shumë në një kohë kaq të shkurtër, dhe ishin të vendosur për të kontribuar edhe më shumë në të ardhmen. Ngushëllime të përzemërta familjeve dhe miqve. Qoftë e paharruar jeta e tyre shembullore.

Të Ngjashme