Shëndetësi

Studiuesit australianë rritin ind të valvulës së zemrës njerëzore nga qelizat staminale

Studiues australianë kanë krijuar inde të valvulave të zemrës së njeriut nga qelizat staminale, një zhvillim që mund të ndihmojë në avancimin e trajtimeve për sëmundjet e zemrës te fëmijët, njoftoi sot Instituti i Kërkimeve për Fëmijët Murdoch (MCRI), transmeton Anadolu.

Instituti me seli në Melburn tha se indet tredimensionale imitojnë karakteristikat kryesore molekulare të valvulave të zemrës së njeriut, duke u ofruar studiuesve një platformë të re për të studiuar mënyrën se si valvulat formohen, rriten dhe dëmtohen.

Studimi, i udhëhequr nga MCRI-ja, u publikua në revistën “Cell Stem Cell”.

Sëmundjet e valvulave të zemrës prekin rreth 28 milionë njerëz në mbarë botën dhe shfaqen kur një ose më shumë nga katër valvulat e zemrës nuk hapen ose mbyllen siç duhet. Ato mund të shkaktohen nga probleme të zhvillimit, infeksionet ose plakja.

Aktualisht nuk ekzistojnë trajtime që mund të riparojnë valvulat e dëmtuara të zemrës, duke bërë që shumë pacientë të varen nga ndërhyrjet kirurgjikale për zëvendësimin e tyre.

Te fëmijët, valvulat zëvendësuese ekzistuese nuk rriten bashkë me trupin, çka nënkupton se ata mund të kenë nevojë për disa ndërhyrje kirurgjikale në zemër të hapur gjatë rritjes.

“Duke krijuar inde të valvulave të zemrës që imitojnë karakteristikat molekulare të një valvule njerëzore, tani mund të testojmë dhe avancojmë trajtime të reja në shkallë të gjerë në laborator”, ka thënë autorja kryesore e studimit, dr. Holly Voges nga MCRI-ja, në një deklaratë të institutit.

Studiuesit kanë demonstruar se indet e krijuara në laborator mund të përdoren për modelimin e sëmundjeve inflamatore të valvulave, të cilat mund të çojnë në sëmundje reumatike të zemrës.

Australia ka disa nga nivelet më të larta të regjistruara në botë të sëmundjes reumatike të zemrës, një gjendje kryesisht e parandalueshme që prek në mënyrë disproporcionale australianët indigjenë.

Enzo Porrello, drejtor i mjekësisë së qelizave staminale në MCRI, ka thënë se qelizat staminale të krijuara në laborator u mundësuan studiuesve të rikrijonin strukturën komplekse të valvulave të zemrës.

“Në të ardhmen, kjo teknologji mund të përdoret për të modeluar më saktë sëmundjet e valvulave dhe për të mbështetur zhvillimin e valvulave zëvendësuese të krijuara nga qelizat staminale, të cilat rriten dhe përshtaten me pacientin”, ka thënë ai.

Të Ngjashme