Komuna e Vitisë, Drejtoria për Shëndetësi dhe Mirëqenie Sociale (DSHMS) dhe Qendra Kryesore e Mjekësisë Familjare (QKMF) në Viti kanë dënuar ashpër rastin e dhunës fizike ndaj infermieres B.S., e cila u sulmua gjatë kryerjes së detyrës së saj profesionale.
Sipas institucioneve komunale, çdo akt dhune ndaj punonjësve shëndetësorë është i papranueshëm dhe përbën cenim të sigurisë në vendin e punës, dinjitetit të profesionistëve shëndetësorë dhe funksionimit normal të sistemit të kujdesit shëndetësor.
“Dhuna ndaj atyre që çdo ditë janë në shërbim të qytetarëve nuk mund të tolerohet. Punonjësit shëndetësorë janë aty për të ofruar kujdes, ndihmë dhe mbështetje, dhe jo për t’u bërë objekt i dhunës”, thuhet në reagimin e institucioneve komunale.
Komuna e Vitisë ka shprehur mbështetjen e plotë për infermieren e sulmuar dhe stafin e QKMF-së, duke i uruar asaj shërim të shpejtë dhe rikthim sa më të shpejtë në punë.
Njëkohësisht, institucionet kanë kërkuar nga organet kompetente që të ndërmarrin të gjitha veprimet e nevojshme ligjore për trajtimin e rastit dhe që përgjegjësit të përballen me pasojat sipas legjislacionit në fuqi.
Komuna e Vitisë, DSHMS dhe QKMF kanë bërë thirrje për respektimin e profesionistëve shëndetësorë dhe kanë theksuar se do të vazhdojnë të punojnë për krijimin e një ambienti të sigurt për stafin dhe qytetarët.
