ShowBizzz

Sulmohet me thikë, gjendet pa jetë aktori i ‘Top Gun’

Aktori amerikan James Handy, i njohur për rolet e tij në prodhime të njohura si “Top Gun: Maverick”, “Jumanji” dhe “Logan”, është gjetur i vdekur në banesën e tij në Los Angeles në rrethana të rënda.

Sipas mediave ndërkombëtare, ngjarja dyshohet të ketë ndodhur pas një sulmi me thikë, ku i dyshuari kryesor është djali i partneres së aktorit.

Departamenti i Policisë së Los Angeles ka konfirmuar se 81-vjeçari u gjet në oborrin e përparmë të shtëpisë së tij në zonën Tarzana, Kaliforni, rreth orës 09:30 të mëngjesit të së mërkurës. Ai është gjetur pa shenja jete dhe me disa plagë me thikë në kraharor.

Autoritetet kanë arrestuar 44-vjeçarin Michael Gledhill, djalin e partneres së viktimës, i cili është akuzuar për vrasje dhe ndaj të cilit është vendosur një garanci prej 2 milionë dollarësh.

Sipas raportimeve, i dyshuari ka bërë një telefonatë në numrin e emergjencës 911, ku ka deklaruar: “Unë jam biri i atij burrit, sapo vrava njeriun e mëkatit.” Më pas, kur policia ka mbërritur në vendngjarje, ai është dorëzuar duke pranuar se ishte personi që kërkonin.

Hetimet paraprake tregojnë se i dyshuari jetonte në të njëjtën banesë me nënën e tij, e cila ishte në një marrëdhënie me aktorin e ndjerë.

James Handy kishte një karrierë të gjatë në televizion dhe film që prej vitit 1977, kur debutoi në serialin “Ryan’s Hope”. Gjatë dekadave ai u shfaq në projekte të njohura si “Law & Order”, “NCIS: Los Angeles” dhe “Criminal Minds”, ndërsa filmi i tij i fundit ishte “Top Gun: Maverick” në vitin 2022.

Të Ngjashme