Lajme

Sveçla: Armatimi i kapur në veri u gjet në 12 lokacione të ndryshme

Ministri në detyrë i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, ka bërë të ditur se armatimi i sekuestruar sot në Mitrovicën e Veriut është gjetur në 12 lokacione të ndryshme.

Në një konferencë të jashtëzakonshme për media, Sveçla ka deklaruar se armatimi do t’i nënshtrohet ekzaminimeve dhe analizave të detajuara për të përcaktuar origjinën, përdorimin dhe lidhjet e mundshme me raste të tjera të hetuara.

“Armatimi që shihni sot para jush është gjetur në 12 lokacione të ndryshme. Nga sot ai do t’i nënshtrohet ekzaminimit dhe analizave të detajuara me qëllim të përcaktimit të origjinës, përdorimit dhe lidhjeve të mundshme me rastet e hetuara, përfshirë edhe ekzaminimin e së paku 23 personave, por edhe rasteve të tjera kriminale”, ka deklaruar Sveçla.

Ai ka thënë se operacioni është rezultat i punës së institucioneve të sigurisë dhe të drejtësisë.

“Ky operacion është rezultat i punës së vazhdueshme dhe profesionale të institucioneve tona të sigurisë, si Policia e Kosovës, AKI-ja dhe po ashtu edhe Prokuroria”, ka thënë ai.

Sipas Sveçlës, sekuestrimi i armatimit tregon vendosmërinë e institucioneve të Kosovës për të vepruar ndaj çdo rreziku që mund të cenojë sigurinë dhe rendin kushtetues të vendit.

“Gjetja e këtij armatimi është dëshmi e qartë se institucionet e Kosovës janë të vendosura të veprojnë pa kompromis ndaj çdo rreziku që cenon sigurinë dhe rendin kushtetues të vendit”, ka deklaruar Sveçla.

Të Ngjashme