Ministri në detyrë i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla ka thënë se në Jakubë të Zubin Potokut është gjetur një tjetër varr masiv , pas ati në fshatin Kalludër e Vogël.
Ai tha se Serbia vazhdon të mbetet e njëjtë si në kohën e Sllobodan Millosheviqit.
Sveçla u shpreh se mbështetësit e kasapit të Ballkanit vazhdojnë të jenë ende në pushtet, ku ka përmendur, Vuçiqin, Daçiqin dhe Vulinin, duke thënë se Serbia nuk ka ndryshuar asgjë.
“Pas gjetjes së mbetjeve mortore në një varr masiv në Kalludër të Zubin-Potokut, ku ende po vazhdojnë kërkimet dhe gjurmimet, sot, vetëm 10 kilometra më tutje, në fshatin Jabukë të po kësaj komune, u gjet edhe një varr tjetër masiv me mbetje mortore të viktimave të luftës së fundit në Kosovë. Serbia vazhdon të mbetet e njëjtë si në kohën e Millosheviqit, jo vetëm përmes figurave si Aleksandar Vuçiqi dhe Ivica Daçiqi. Vuçiq ishte numri dy i Sheshelit, Daçiq ishte numri dy i Millosheviqit e Vulin numri dy i Mira Markoviqit. Të tre këta janë ende në pushtet në Serbi dhe ky shtet nuk ka ndërruar asgjë. Serbia vazhdon të mbetet e njëjta në formë dhe në përmbajtje”, ka shkruar Sveçla në Facebook.
Ai ka thënë se Serbia nuk jep informacione për personat e zhdukur me dhunë gjatë luftës në Kosovë dhe arreston qytetarët e saj që bashkëpunojnë për gjetjen e këtyre varrezave masive.
Sveçla ka falënderuar Policinë e Kosovës, njësitë përkatëse për hetimin e krimeve të luftës, Agjencinë e Kosovës për Inteligjencë, Institutin e Mjekësisë Ligjore dhe Prokurorinë e Kosovës për punën e ndërmarrë në drejtim të hulumtimit, hetimit dhe identifikimit të këtyre lokacioneve.
Ai i ka bërë thirrje partnerëve ndërkombëtarë të dënojnë këtë qasje të Serbisë, duke shtuar se institucionet e Kosovës do të vazhdojnë me përkushtim punën që të zbardhet fati i secilit person të vrarë dhe zhdukur nga shteti serb gjatë luftës së fundit në Kosovë dhe të sjellim para drejtësisë secilin kriminel përgjegjës për krimet e asaj kohe./teve1.info/
