Lajme

Sveçla: Largimi i KFOR-it nga Ura e Mitrovicës, lajm i mirë, Kosova po forcohet

Ministri në detyrë i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, ka mirëpritur nisjen e procesit gradual të largimit të KFOR-it nga Ura Kryesore e Mitrovicës.Ai ka deklaruar se, me përmirësimin e situatës së sigurisë, do të reduktohet edhe prania e Policisë së Kosovës në Urën Kryesore të Mitrovicës.

Ai tha se procesi do të vijojë në koordinim të ngushtë me KFOR-in, i cili deri tani ka pasur përgjegjësinë për sigurinë në këtë urë, ndërsa Policia e Kosovës po rrit kapacitetet e saj.

“Patjetër që ky është një lajm i mirë. Gjithë procesi do të vijojë në koordinim të ngushtë me KFOR-in, i cili deri tani ka pasur përgjegjësinë e sigurisë në këtë urë”, tha ai.

“Po, sigurisht që me përmirësimin e sigurisë edhe vet prezenca e Policisë së Kosovës do të reduktohet. Është një proces afatshkurtër, i cili do të ofrojë garanca për të gjithë se hapja e urës do të jetë një e mirë për të gjithë, pa pasur ndikim negativ ndaj askujt. Do të vijë momenti kur hapat e ardhshëm edhe do të bëhen publik, edhe do të shihen ashtu siç po shihen sot. Dhe një gjë e cila ka qenë brengë, por edhe simbol i ndarjes për 27 vite do të jetë një kujtim“, tha  ai.

Ai ka thënë se institucionet janë të angazhuara që procesi të përfundojë sa më mirë dhe ka paralajmëruar zhvillime të reja.

Të Ngjashme