LifeStyle

Ta lësh fëmijën të ‘mërzitet’ mund të jetë në fakt e shëndetshme për kreativitetin e tij

Me siguri i ke dëgjuar nga fëmijët frazat: “U mërzita” ose “S’kam ç’bëj “. Për shumicën prej nesh, ky duket si një sinjal për të vepruar menjëherë, por a e di që mërzia mund të jetë çelësi për krijimtarinë e tyre?

Në vend që t’i mbushim çdo moment të ditës me aktivitete, ndonjëherë ajo hapësira bosh është pikërisht ajo që u duhet për t’u bërë më kreativë, për të menduar ndryshe dhe për të zbuluar ide të reja. Në fund të fundit, shpeshherë gjërat më interesante ndodhin kur duket se nuk ka asgjë për të bërë!

1. Mërzia nxit imagjinatën

Kur fëmijët nuk kanë një aktivitet të caktuar, mendja e tyre fillon të krijojë. Ata shpikin lojëra të reja, ndërtojnë skenarë imagjinarë dhe përdorin gjithçka rreth tyre për të zënë kohën. Është momenti ku imagjinata e tyre vjen në jetë, pa kufizime dhe rregulla.

2. Nxit pavarësinë dhe menaxhimin e kohës

Kur fëmijës i jepet mundësia ta menaxhojë vetë kohën, pa një plan të paracaktuar, ai mëson të zbulojë mënyra të reja për të kaluar kohën. Kjo përvojë e ndihmon të zhvillojë pavarësinë dhe të krijojë vetëbesim, duke e ndihmuar të përballojë situata të ndryshme edhe pa udhëzime të vazhdueshme.

3. Fëmijët fillojnë të mendojnë “jashtë kornizave”

Kur truri i tyre nuk ka një aktivitet specifik për t’u përqendruar, fëmijët fillojnë të eksplorojnë. Ata shpesh gjejnë zgjidhje të reja për problemet ose krijojnë mënyra të reja për të kaluar kohën. Kjo zhvillon krijimtarinë e tyre dhe i ndihmon të mendojnë në mënyra që ndoshta as nuk mund t’i kishim parashikuar.

4. Më pak varësi nga teknologjia

Fëmijët shpesh shkojnë direkt te teknologjia për argëtim. Por, kur u jepet mundësia “të mërziten” dhe të gjejnë mënyra të tjera për të kaluar kohën, pasi fillojnë të zhvillojnë një marrëdhënie më të shkëputur nga pajisjet teknologjike.

Mësojnë të krijojnë lojëra imagjinare, të lexojnë apo të vizatojnë, duke i dhënë vetes hapësirë për aktivitete ndryshe.

5. Zhvillimi i aftësive për zgjidhjen e problemeve

Nëse një fëmijë ndodhet në një situatë ku ndihet i mërzitur, ai përballet me sfidën e të gjeturit një zgjidhje. Duke menduar se çfarë mund të bëjë, fëmija fillon të praktikojë aftësitë e zgjidhjes së problemeve. Kjo ndikon në aftësinë e menaxhimit të kohës dhe të zgjidhjes së situatave të paparashikuara.

6. Reflektim dhe zhvillim emocional

Kur fëmijët përballen me ndjenja mërzie, ata mund të fillojnë të reflektojnë mbi emocionet dhe përvojat e tyre. Kjo u jep atyre mundësinë të kuptojnë më mirë veten dhe ndjenjat e tyre, duke u rritur emocionalisht dhe duke fituar vetëdije më të thellë për veten, citon Anabel.

Mërzia nuk është gjithmonë armiku. Ajo është një mundësi që fëmijët të zhvillojnë kreativitetin, pavarësinë dhe të përmirësojnë aftësitë e tyre mendore. Në vend që ta shmangësh, ndonjëherë është mirë t’i lejosh fëmijët të përballen me mërzinë – do të habitesh me atë që do të krijojnë!