Lajme

Tahiri-Beqa: Kurti kërkoi 83-84 vota më parë, tani tentoi zgjedhjen e presidentit me 64 deputetë

Politologia, Arta Tahiri-Beqa ka kritikuar qëndrimet e kryeministrit, Albin Kurti lidhur me procesin e zgjedhjes së presidentit të Kosovës, duke i cilësuar ato si kontradiktore dhe në kundërshtim me Kushtetutën.

Në emisionin “Këndi i Debatit” në Tëvë1, Tahiri-Beqa ka thënë se Kurti më herët deklaronte se për zgjedhjen e presidentit nevojiten 83-84 vota, ndërsa të hënën, sipas saj, është tentuar zgjedhja me vetëm 64 deputetë të pranishëm në sallë.

Ajo ka vlerësuar se Lëvizja Vetëvendosje, si partia e parë fituese, nuk ka reflektuar në situatën politike.

“Kush nuk po reflekton është partia e parë, e cila jo vetëm që nuk po reflekton, por ishte jashtëzakonisht e zymtë dhe e dhimbshme që Kurti, të cilit nuk i mjaftonin 81 vota dhe kërkonte 83 apo 84 për zgjedhjen e presidentit, mbrëmë tentoi, krahas të gjitha shkeljeve kushtetuese, që ta bëjë zgjedhjen e presidentit të Republikës së Kosovës me 64 vota”, ka deklaruar ajo.

Sipas saj, qëllimi i përplasjes politike mes subjekteve nuk është zgjidhja e krizës institucionale, por krijimi i bllokadave që mund ta çojnë vendin drejt zgjedhjeve të jashtëzakonshme.

“Kushdo, edhe njohësi më i thjeshtë i politikës, e kupton se sa duhet kuorumi për të zgjedhur presidentin dhe unë kam frikë që subjekti i parë, Lëvizja Vetëvendosje, por pa lënë anash as subjektet e tjera politike, janë në një garë se kush po e gjen atë defekt për të bërë bllokadën. Pra, gjithë qëllimi, fatkeqësisht, sonte mund të themi që jemi duke shkuar drejt zgjedhjeve të jashtëzakonshme. Andaj, unë them që e gjithë kjo luftë e panevojshme politike është për numrin e votave”, ka thënë ajo./teve1.info./

Të Ngjashme