Kreu i Këshillit Drejtues të Radio Televizionit Shqiptar, Fatjon Hoxhalli, gjatë fjalës së mbajtur në Komisionin për të Drejtat e Njeriut dhe Mjetet e Informimit Publik, ka kërkuar një financim shtesë prej 750 milionë lekësh për RTSH-në në buxhetin e vitit 2027.
Hoxhalli u ndal veçanërisht te çështja e të drejtave sportive, duke theksuar se kontrata aktuale për transmetimin e kampionatit të Abissnet Superiore përbën një barrë financiare që të ardhurat e institucionit nuk mund ta përballojnë.
“Nënvizoj dhe një çështje të veçantë, të drejtat sportive. Kontrata në fuqi për transmetimin e kampionatit të Abissnet Superiore ka një peshë që të ardhurat aktuale të RTSH-së nuk e përballojnë dot. Sporti kombëtar është një shërbim publik dhe qytetarët presin ta gjejnë të transmetuar te RTSH. Kjo kosto nuk mund të mbetet e gjitha mbi të ardhurat e veta të institucionit”, deklaroi Hoxhalli.
Ai vlerësoi gjithashtu financimin e parashikuar në projektbuxhetin e vitit 2027, por theksoi se shuma e akorduar nuk përmbush nevojat reale të transmetuesit publik.
“Projektbuxheti i vitit 2027 e parashikon financimin e RTSH-së në masën 940 milionë lekë, me një rritje prej 50 milionë lekësh për mirëmbajtjen e rrjetit dixhital. E vlerësojmë këtë hap”, u shpreh ai.
Megjithatë, sipas kreut të Këshillit Drejtues, nevojat financiare të institucionit janë dukshëm më të larta.
“Nevoja reale e RTSH-së për vitin 2027 është 1 miliard e 690 milionë lekë. Kërkesa për shtesë është 750 milionë lekë, e cila ndahet në 239 milionë lekë për shpenzime korrente dhe 511 milionë lekë në investime”, deklaroi Hoxhalli.
