Lajme

Të shtëna me AK-47 në një aheng në Prishtinë, Policia sekuestron armët dhe municionin

Një aheng familjar në fshatin Barilevë të Prishtinës është shoqëruar me të shtëna me armë zjarri, duke bërë që në vendin e ngjarjes të ndërhyjë Policia e Kosovës.

Sipas raportimeve, Policia është njoftuar rreth orës 22:10 se gjatë një ahengu po dëgjoheshin të shtëna me armë.

Pas daljes në vendin e ngjarjes, zyrtarët policorë kanë gjetur në oborrin e një shtëpie dy gëzhoja të kalibrit 7.62 mm dhe 17 gëzhoja të kalibrit 9 mm.

Gjatë veprimeve hetimore, një 25-vjeçar ka pranuar se kishte shtënë me një pushkë automatike AK-47, të cilën më pas ia ka dorëzuar Policisë së bashku me 40 fishekë të kalibrit 7.62 mm.

Ndërkohë, një 60-vjeçar ka dorëzuar një pistoletë të tipit Beretta, për të cilën raportohet se posedonte leje valide. Ai gjithashtu ka pranuar se kishte shtënë me armë gjatë ahengut. Policia ka sekuestruar edhe 14 fishekë të kalibrit 9 mm.

Në vendin e ngjarjes kanë dalë hetuesit dhe njësia e forenzikës, ndërsa armët, municioni dhe gëzhojat janë sekuestruar si prova materiale.

Pas intervistimit të të dyshuarve në prani të avokatit mbrojtës dhe në konsultim me Prokurorin e Shtetit, rasti është iniciuar për veprat penale që lidhen me posedimin e paautorizuar dhe përdorimin e armës.

Të dyshuarit janë liruar në procedurë të rregullt, ndërsa rasti vazhdon të hetohet nga organet kompetente.

Personat e përfshirë në rast konsiderohen të pafajshëm derisa fajësia e tyre të vërtetohet me vendim të formës së prerë nga gjykata.

Të Ngjashme