Meteorologia e MeteoAlb, Lajda Porja, ka paralajmëruar një valë të fortë të nxehti që pritet të përfshijë Shqipërinë në ditët në vijim, me temperatura që në disa zona mund t’i afrohen edhe 40 gradë Celsius.
Sipas Porjës, moti do të mbetet i qëndrueshëm gjatë ditëve të para të javës, me temperatura që aktualisht arrijnë deri në 32 gradë Celsius në disa zona të vendit. Bregdeti do të regjistrojë rreth 30 gradë, ndërsa zonat malore do të luhaten mes 27 dhe 28 gradëve.
Megjithatë, situata pritet të ndryshojë nga fundi i javës. Meteorologia bëri të ditur se nga e enjtja në mbrëmje do të riaktivizohen masat ajrore afrikane, duke sjellë një rritje të ndjeshme të temperaturave.
“Të enjten presim 35-36 gradë, të premten 37 gradë, ndërsa fundjava dhe fillimi i javës së ardhshme do të jenë nën ndikimin e një moti shumë të nxehtë, ku temperaturat do t’i afrohen vlerës 39 gradë dhe në zona të izoluara edhe 40 gradëve”, u shpreh Porja.
Sipas parashikimeve, qarqet më të nxehta do të jenë Shkodra dhe Berati, ndërsa temperatura shumë të larta priten edhe në Elbasan, Gjirokastër dhe Tiranë. Në bregdet temperaturat do të jenë disi më të ulëta, por sërish do të arrijnë deri në 36 gradë Celsius.
Deri të enjten, në zonat malore priten rrebeshe të shkurtra dhe të izoluara gjatë pasdites, kryesisht në verilindje dhe juglindje. Më pas moti do të jetë kryesisht i thatë dhe me intervale të gjata kthjellimesh.
Lajda Porja theksoi se ditët më të nxehta do të jenë e diela, e hëna dhe e marta, ndërsa lagështira e lartë në ajër do ta bëjë vapën të ndihet edhe më e fortë.
Meteorologët këshillojnë qytetarët të shmangin ekspozimin në diell gjatë intervalit 11:00-15:00, kur temperaturat arrijnë kulmin, si dhe të tregojnë kujdes të shtuar ndaj të moshuarve dhe fëmijëve gjatë kësaj vale të nxehti.
