Kuriozitete

Test i ri i gjakut mund të zbulojë ndryshimet e Alzheimerit 10 vjet para shfaqjes së simptomave

Një test i ri gjaku premton të revolucionarizojë diagnostikimin e hershëm të sëmundjes së Alzheimerit, duke mundësuar identifikimin e ndryshimeve në tru deri në 10 vjet përpara shfaqjes së simptomave të para.

Ky njoftim u bë gjatë Konferencës Ndërkombëtare të Shoqatës së Alzheimerit (Alzheimer’s Association International Conference), ku u prezantua hulumtimi mbi biomarkerin e gjakut të quajtur p-tau217.

Testi mat nivelin e proteinës p-tau217 në gjak. Kjo proteinë konsiderohet një tregues shumë i saktë i akumulimit të pllakave amiloide në tru – një nga ndryshimet kryesore patologjike të lidhura me sëmundjen e Alzheimerit.

Studiuesit thonë se nivelet e larta të p-tau217 mund të parashikojnë me saktësi nëse po formohen pllaka amiloide, edhe kur pacienti nuk ka ende asnjë simptomë klinike si humbje memorie, konfuzion apo probleme me të menduarit.

Delores Hurst, drejtoresha ekzekutive e degës së Arkansasit në Shoqatën e Alzheimerit, theksoi rëndësinë praktike të këtij testi: “Saktësia e neurologëve ishte 76%, ndërsa saktësia e mjekëve të kujdesit parësor ishte vetëm 65%. Ky test gjaku e mbylli plotësisht këtë diferencë.”

Kjo do të thotë se testi mund të bëjë të mundur që edhe mjekët e familjes të identifikojnë pacientët në rrezik me një saktësi shumë të lartë, pa pasur nevojë për vizita të menjëhershme te neurologët ose për ekzaminime të shtrenjta si tomografia PET.

Të Ngjashme