Lajme

Tetë kundërvajtje për një motoçiklist në Gjilan, i sekuestrohet mjeti

Policia e Kosovës ka ndaluar të premten në Gjilan një person i cili dyshohet se në disa raste nuk ka respektuar urdhrat e zyrtarëve policorë për t’u ndalur gjatë drejtimit të motoçikletës.

Sipas Policisë, i dyshuari me veprimet e tij ka rrezikuar sigurinë e zyrtarëve policorë, por edhe të pjesëmarrësve të tjerë në trafik.

Gjatë procedurës për tërheqjen e motoçikletës, ai ka penguar zyrtarët policorë dhe personelin e autorizuar për bartjen e automjeteve në kryerjen e detyrave zyrtare.

Për rastin është njoftuar Prokurori i Shtetit, i cili ka autorizuar inicimin e procedurave kundërvajtëse ndaj të dyshuarit. Atij i janë shqiptuar fletëparaqitje për shkelje të Ligjit për Prishjen e Rendit dhe Qetësisë Publike, si dhe të Ligjit për Rregullat e Trafikut Rrugor.

Policia bëri të ditur se gjatë trajtimit të rastit janë evidentuar tetë kundërvajtje, për të cilat janë përpiluar fletëparaqitje për procedim në gjykatë. Po ashtu, është sekuestruar përkohësisht motoçikleta e përdorur nga i dyshuari, ndërsa lënda do të procedohet në gjykatën kompetente.

Të Ngjashme