Komiteti Disiplinor i Dhomës Kombëtare të Avokatisë ka pezulluar për dy vjet licencën e avokatit Lefter Xhengo, pasi ky i fundit theu bojkotin e avokatëve dhe u paraqit në GJKKO për të mbrojtur administratorin e inceneratorit të Elbasanit, Leli Kaja.
Vendimi u mor pas një mbledhjeje të thirrur me urgjencë, ndërsa Xhengo mori pjesë në seancën për caktimin e masës së sigurisë ndaj Kajës, i cili u la në arrest shtëpie, pasi gjykata rrëzoi kërkesën e SPAK për arrest me burg.
Bojkoti i avokatëve lidhet me kundërshtimin e rregullores së re të GJKKO-së për zhvillimin e seancave gjyqësore, ndërsa Dhoma Kombëtare e Avokatisë ka paralajmëruar masa disiplinore, deri në heqjen e licencës, për avokatët që nuk i përmbahen bojkotit.
Ndërkohë, Komiteti Disiplinor vijon shqyrtimin e rastit të një avokati tjetër, i cili theu bojkotin një ditë më parë, gjatë seancës për caktimin e masës së sigurisë ndaj Gerta Gjocit.
