Kompanitë e mediave sociale TikTok dhe YouTube kanë çaktivizuar gjithsej rreth 4.7 milionë llogari që u përkisnin fëmijëve nën moshën 16 vjeç në Indonezi, ka bërë të ditur ministri i Komunikimit i vendit, në një kohë kur po zbatohen kufizime të reja për rrjetet sociale.
Sipas Ministrit të Komunikimit dhe Digitalizimit, Meutya Hafid, TikTok, në pronësi të kompanisë kineze ByteDance, ka çaktivizuar 4.1 milionë llogari, ndërsa YouTube, platforma e Google, ka mbyllur rreth 600 mijë llogari. Ai shtoi se qeveria indoneziane synon që këtë praktikë ta ndjekin edhe vende të tjera.
Në mars, Indonezia miratoi një rregullore që detyron platformat e mediave sociale me rrezik të lartë të çaktivizojnë llogaritë e përdoruesve nën moshën 16 vjeç. Masa të ngjashme kanë prekur edhe platforma si X, Instagram dhe Roblox.
“Ne nuk po vonojmë vetëm aksesin e fëmijëve, por po synojmë të ndryshojmë sjelljen e platformave,” deklaroi Meutya Hafid, duke shtuar se ministria po verifikon raportet e vetëvlerësimit nga kompanitë teknologjike.
Kufizimet në Indonezi vijnë si pjesë e përpjekjeve për të ulur rrezikun e ngacmimit kibernetik dhe varësisë nga rrjetet sociale, pas debatit global mbi ndikimin e tyre në shëndetin mendor të të rinjve.
Masa të ngjashme janë ndërmarrë edhe në vende të tjera. Australia ka vendosur ndalime për përdorimin e rrjeteve sociale nga të miturit, ndërsa Britania e Madhe ka njoftuar plane për kufizime më të gjera që përfshijnë edhe platformat e lojërave dhe transmetimit të drejtpërdrejtë, duke sinjalizuar një trend global drejt rregullimit më të ashpër të hapësirës digjitale për fëmijët.
