Tirana mirëpriti Samitin e 4-t Global të Psikologjisë, me temë “Nga Vizioni drejt Veprimit”, i cili synon të rrisë ndërgjegjësimin për rëndësinë e shëndetit mendor dhe rolin e psikologjisë në shoqëri. Zv.kryeministrja Albana Koçiu dhe presidentja e Urdhrit të Psikologut bënë thirrje për më shumë parandalim, ndërgjegjësim dhe bashkëpunim në fushën e shëndetit mendor.
“Që shëndeti mendor nuk është vetëm çështje e shëndetësisë, por edhe e familjes, e shkollës, e vendit të punës, e komunitetit dhe, pa diskutim, e përgjegjësisë së institucioneve publike dhe politikëbërësve. Sepse, në fakt, kur flasim për shëndetin mendor, nuk flasim thjesht për diagnoza apo statistika. Flasim për fëmijë që kanë nevojë të dëgjohen, për të rinj që përballen me ankthin dhe pasigurinë”, u shpreh Koçiu.
Në samit morën pjesë edhe përfaqësues të Shoqatës Amerikane të Psikologjisë të cilët vlerësuan rëndësinë e bashkëpunimit ndërkombëtar në promovimin e shëndetit mendor dhe forcimin e rolit të psikologjisë në shoqëri.
“Ndjehem e privilegjuar që jam këtu Vlerësoj bashkëpunimin mes psikologëve nga e gjithë bota, pasi shkëmbimi i përvojave dhe njohurive na ndihmon të përballemi më mirë me sfidat e përbashkëta dhe të gjejmë zgjidhje më efektive”, përfaqësues të Shoqatës Amerikane të Psikologjisë
“Psikologjia luan një rol të rëndësishëm në përballimin e pasojave emocionale dhe sociale të fatkeqësive natyrore. Shqipëria na ka pritur në mënyrë të shkëlqyer dhe ka bërë përparim të madh në trajtimin e këtyre çështjeve, duke u kthyer në një model edhe për vendet e tjera”, tha një tjetër.
Samiti do të vijojë me sesione pune dhe takime ndërkombëtare, me synimin për të forcuar bashkëpunimin mes profesionistëve dhe për të nxitur iniciativa konkrete në mbrojtje të shëndetit mendor.
Gazetare: Jonida Omeri
/rtsh.al/
