Po qëndrojnë në radhë për një qëllim fisnik.
Atë të dhurimit të gjakut.
Për banorët e Poslishtës së Prizrenit, ky është një zakon që gjenezën e ka qysh në vitin 1989, dhe, mbahet ende.
Ndërsa, prej tri vitesh, ata mblidhen çdo 2 gusht për ta vazhduar këtë traditë, duke e kthyer këtë datë në simbol të solidaritetit në fshatin e tyre.
Mes dhuruesve kishte nga ata, që po e bënin këtë për herë të parë.
“Për mu është hera e parë që po dhurojë gjak gjak duhet me dhuru çdo kush sepse ka nevojë, gjak me dhuru është një shpëtim jete”, shprehet Ferid Hajdari.
E për dikë tjetër pjesëmarrja në këtë aksion është bërë traditë.
“Kjo këtu është tradicional dhe është hera e tretë, d.m.th çdo vit në të njëjtën periudh ne të njëjtën kohë”, tha Burim Hajdari.
“Sa herë të ka nevojë unë dhuroj gjak edhe sa herë qe ka me pas nevojë do të dhurojë”, u shpreh një tjetër dhurues.
Ndërsa, për dikë problemet shëndetësore ishin pengesë për të dhuruar gjak, por pa munguar asnjëherë vullneti.
“Më herët kam pas disa probleme me shëndet s’kam dhuru por tash nëse jam mirë do dhuroj çdo herë”, tha Vedat Islamaj.
Se një numër i madh i qytetarëve iu përgjigjën këtij aksioni u vlerësua edhe nga Qendra e Transfuzionit të Gjakut.
“Fshati Poslishtë që disa vite dmth na i bashkëngjitet aksionit për dhurimin e gjakut qysh edhe para lufte por edhe pas lufte që e kanë shpreh një interesim jashtëzakonisht të madh, sot ju kanë përgjigj një numër tejet i madh i qytetareve për të dhuruar gjak dhe prandaj e shprehim një falënderim të madh për gatishmërinë e tyre për tu bashkangjitur sepse dhurimi i gjakut ka një rendësi jashtëzakonisht të madhe duke e ditur edhe numrin e madh të pacienteve që janë duke e pritur gjakun e këtyre dhuruesve”, tha doktoresha Merita Morina-Bujupi.
E pasi përfunduan dhurimin, tradita vazhdoi edhe në një mënyrë tjetër.
Organizatorët shtruan drekë për të gjithë dhuruesit, si shenjë falënderimi që, për banorët e Poslishtës, vazhdon të përcillet brez pas brezi.
