Një ngjarje tragjike është shënuar në bregdetin e Tales, në Lezhë, ku dy vajza të mitura kanë humbur jetën pasi dyshohet se janë mbytur në det.
Sipas informacioneve paraprake, viktimat, të moshave 11 dhe 13 vjeçe, ndodheshin në një zonë plazhi të pambikëqyrur, pa praninë e strukturave të sigurisë apo menaxhimit.
Dyshohet se ato janë futur në ujë dhe nuk kanë mundur të dalin më.
Trupat e pajetë janë nxjerrë nga deti dhe janë transportuar drejt morgut të Spitalit Rajonal të Lezhës për veprimet e mëtejshme procedurale.
Në vendngjarje kanë mbërritur shërbimet e policisë dhe grupi hetimor, të cilët po punojnë për të sqaruar plotësisht rrethanat dhe shkaqet e kësaj ngjarjeje të rëndë.
