Prokuroria Themelore në Mitrovicë ka nisur hetimet ndaj tre personave të dyshuar për veprën penale “vrasje në tentativë”, lidhur me një sulm të raportuar më 30 shtator në Vushtrri.
Zëdhënësi i Prokurorisë Themelore në Mitrovicë, Valon Preteni, ka konfirmuar për KosovaPress se një person është ndaluar dhe për të është paraqitur kërkesë për caktimin e masës së paraburgimit, ndërsa dy të dyshuarit e tjerë janë në arrati.
“Për tre persona ka aktvendim për fillimin e hetimeve për veprën penale ‘Vrasje në tentativë’. Për këtë rast një person është i ndaluar, për të njëjtin kemi paraqitur kërkesë për caktimin e masës së paraburgimit, ndërkaq dy personat tjerë të dyshuar për këtë rast janë në arrati”, ka bërë të ditur Preteni
Incidenti ka ndodhur më 30 shtator 2026, rreth orës 00:45, në rrugën “Xhavit Mulaku”, afër “Urës së Hekurit” në Vushtrri.
I dyshuari, në bashkëkryerje me persona të tjerë dhe duke përdorur mjete të forta, dyshohet se kishte sulmuar një person, i cili për shkak të lëndimeve kishte kërkuar tretman mjekësor.
