Lajme

Trepçë: Mbi 9 mijë euro u paguan pa evidencë elektronike, 63 punëtorë të përfshirë

Një raport i brendshëm i Komisionit për verifikimin e pagesave në Trepça Sh.A. ka evidentuar parregullsi serioze në mënyrën e dokumentimit dhe procesimit të pagesave për punën gjatë vikendeve në Njësinë Biznesore Kishnicë/Artanë. Sipas raportit, vetëm gjatë periudhës shkurt – prill 2026 janë realizuar pagesa në vlerë prej 9,020.41 euro për punë gjatë ditëve të vikendit, ndonëse për dhjetëra punëtorë mungon evidenca elektronike e hyrjes dhe daljes në vendin e punës.

Dokumenti, i siguruar nga Klan Kosova, mban datën 16 qershor 2026 dhe është hartuar nga Komisioni i formuar me datë 26 maj 2026, pas pretendimeve për mospërputhje ndërmjet pagesave të vikendit dhe evidencës së prezencës.

Raporti i është dorëzuar Kryeshefit Ekzekutiv të Trepça Sh.A., Faton Ahmeti, ndërsa komisioni thotë se ka analizuar dokumentacionin për periudhën shkurt–maj 2026, duke përfshirë raportet ditore të punës, kartelat e skanimit, sistemin elektronik të hyrje-daljeve, listat e pagave dhe të dhënat e Departamentit të Burimeve Njerëzore.

Komisioni krahasoi katër burime të ndryshme të evidencës. Në raport thuhet se verifikimi nuk është kufizuar vetëm në raportet e punës, por është bërë krahasimi ndërmjet raporteve ditore të punës, evidencës elektronike të hyrje-daljeve, listave të pagave, dokumentacionit të Burimeve Njerëzore.

Pikërisht nga ky krahasim, sipas komisionit, janë evidentuar mospërputhjet që lidhen me pagesat e vikendeve.

Parregullsitë më të mëdha janë evidentuar në muajin shkurt të këtij viti. Komisioni konstaton se 38 punëtorë kanë përfituar pagesa për punë gjatë vikendeve, edhe pse në sistem nuk ekziston asnjë evidencë elektronike e hyrjes apo daljes së tyre nga vendi i punës. Për këta punëtorë janë paguar gjithsej 6,278.65 euro.

Megjithatë, komisioni sqaron se pagesat nuk janë bërë pa asnjë dokumentacion. Ato janë procesuar mbi bazën e raporteve ditore të punës, të përgatitura nga mbikëqyrësit e ndërrimit dhe të nënshkruara nga personat përgjegjës teknikë. Problemi, sipas komisionit është se këto raporte nuk mbështeten nga sistemi elektronik që dëshmon fizikisht prezencën e punëtorëve.

Në muajin mars, komisioni evidenton vetëm 5 punëtorë që kanë përfituar pagesa për punë gjatë vikendeve pa evidencë elektronike. Vlera e pagesave për këtë muaj është 250.70 euro.

Në muajin prill, numri i rasteve rritet sërish, Komisioni ka identifikuar 20 punëtorë që kanë marrë pagesa për punë vikendi pa evidencë elektronike të hyrjes dhe daljes. Shuma e paguar për këta puëntorë arrin shifrën 2,491.06 euro.

Në muajin Maji, Komisioni ka identifikuar 13 punëtorë, të cilët kanë raportuar gjithsej 168 orë pune gjatë vikendeve, për të cilët, poashtu mungon evidenca elektronike e hyrjes dhe daljes.

Megjithatë, sipas të dhënave të Burimeve Njerëzore, këto orë nuk janë përfshirë në pagesë, çka ka shmangur një kosto shtesë financiare për ndërmarrjen.

Komisioni ka përpiluar edhe një analizë të ndikimit financiar. Sipas saj, pagesat e realizuara pa evidencë elektronike për periudhën shkurt – prill të këtij viti, në total, është 9,020.41 euro.

Nga ana tjetër, për muajin maj, megjithëse janë evidentuar 168 orë pune pa skanim elektronik, ato nuk janë procesuar për pagesë.

Në total, komisioni ka trajtuar 76 raste të punëtorëve gjatë periudhës katër mujore, ndërsa pagesa janë realizuar vetëm për 63 prej tyre, pasi rastet e muajit maj nuk janë paguar.

Raporti është rezultat i një procesi të brendshëm verifikimi të iniciuar nga vetë menaxhmenti i Trepça Sh.A., me synimin për të sqaruar pretendimet për parregullsi në pagesat e punës gjatë vikendeve në Njësinë Biznesore Kishnicë/Artanë.

Të Ngjashme