Lajme

Truprojat e Ramës përplasen me Arjan Konomin, gazetari përfundon në komisariat

Një incident është raportuar sot në fshatin Vuno, ku gazetari dhe publicisti Arjan Konomi është përfshirë në një përplasje me pjesëtarë të eskortës së kryeministrit Edi Rama. Pas incidentit, Konomi është shoqëruar në Komisariatin e Policisë së Himarës.

Rasti është bërë publik nga kreu i lëvizjes “Shqipëria Bëhet”, Adriatik Lapaj, i cili ka dhënë versionin e tij për dinamikën e ngjarjes.

Sipas Lapajt, konflikti ka nisur për shkak të automjeteve të eskortës së kryeministrit, të parkuara në qendër të Vunoit. Konomi, banor i zonës, mësohet se ka kundërshtuar mënyrën e parkimit, duke kërkuar që rregullat të zbatohen njësoj për qytetarët dhe zyrtarët, pavarësisht funksionit që mbajnë.

Debati, sipas pretendimeve të Lapajt, ka përshkallëzuar më pas në një përplasje fizike me pjesëtarë të eskortës. Ai pretendon se Konomi është larguar me forcë nga vendi dhe më pas është dërguar në komisariat.

“Z. Konomi ka shkuar dhe u ka kërkuar që të mbahet i njëjti standard edhe për zyrtarët e shtetit, pavarësisht funksionit. Ligjin së pari duhet ta zbatojë Kryeministri e mandej çdo qytetar”, shkruan Lapaj.

Duke reaguar për ngjarjen, Lapaj ka kritikuar ashpër sjelljen e eskortës së kryeministrit, duke e cilësuar të papranueshme mënyrën se si është trajtuar Konomi.

Ai ka ngritur gjithashtu akuza ndaj vetë kryeministrit Edi Rama, duke e konsideruar shoqërimin e gazetarit si arbitrar dhe duke kërkuar që ligji të zbatohet në mënyrë të barabartë ndaj të gjithë qytetarëve.

Lapaj e ka përdorur rastin edhe për të ngritur shqetësimin mbi mënyrën se si mund të trajtohen qytetarët e tjerë në raste të ngjashme, duke argumentuar se nëse një personazh publik përballet me një situatë të tillë, shqetësimi është edhe më i madh për qytetarët pa zë publik.

Të Ngjashme