Lajme

U arrestua nën shoqërinë e Ergys Agasit, GJKKO merr vendimin për ish-zyrtarin e policisë, Uljan Shpataraku

Gjykata e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (GJKKO) ka lënë në burg ish-zyrtarin e policisë, Uljan Shpataraku, cili u arrestua gjatë aksionit për prangosjen e biznesmenit Ergys Agasi.

Pas seancës gjyqësore, GJKKO ka caktuar ndaj tij masën e sigurisë “arrest në burg”, duke e lënë kështu pas hekurave në vijim të hetimeve.

Ndaj Shpatarakut SPAK ka ngritur akuzën për veprën penale “Përkrahja e autorit të krimit”.

Kujtojmë se më 26 gusht në zonën e Plepave në Durrës, Shpataraku u kap duke drejtuar automjetin me të cilin udhëtonte Ergys Agasi, i shpallur në kërkim nga drejtësia dhe që ndodhej prej rreth 8 muajsh në arrati.

Fill pas arrestimit u kryen edhe kontrolle në banesën e Shpatarakut në kryeqytet, ku sipas raportimeve, atij i është sekuestruar arsenal armësh. Konkretisht 3 pistoleta, 2 armë tip shotgun dhe 2 pushkë, të cilat ai i posedonte me leje.

Po ashtu, Shpatarakut i është hequr edhe leja e armëve, pasi disa javë më parë u përjashtua nga Policia e Shtetit.

Sipas gazetares Xhensila Kodra, për Shpatarakun ka indicie se ka pasur precedent penal në të kaluarën jashtë vendit, të cilin nuk e ka deklaruar, por që kërkon një hetim të thelluar nga autoritetet.

Të Ngjashme