Gjykata e Lartë ka njoftuar shtyrjen e seancave gjyqësore, me përjashtim të çështjeve urgjente, pas dëmeve materiale dhe në infrastrukturë të shkaktuara nga zjarri gjatë protestave më 17 tetor.
Si pasojë e zjarrit, dëmtime kanë pësuar edhe dosje gjyqësore, ndërsa Gjykata e Lartë thekson se po verifikon gjendjen e dokumentacionit përpara rikthimit në normalitet të veprimtarisë.
Përmes një njoftimi zyrtar, Gjykata e Lartë bëri të ditur se seancat do të mbeten të shtyra deri në përfundimin e procesit të verifikimit dhe vlerësimit të dëmeve, evidentimit të gjendjes së dosjeve gjyqësore dhe rikthimit të kushteve të nevojshme për vijimin e rregullt të punës.
“Si pasojë e zjarrit të shkaktuar gjatë protestave, në datën 17 tetor 2026, ambientet e Gjykatës së Lartë kanë pësuar dëmtime materiale dhe në infrastrukturë, përfshirë edhe dosje gjyqësore. Kjo situatë e jashtëzakonshme ka ndikuar në kushtet e zhvillimit normal të veprimtarisë gjyqësore, duke bërë të domosdoshme marrjen e masave për vlerësimin e plotë të dëmeve dhe garantimin e integritetit të dokumentacionit gjyqësor.
Në këto rrethana, seancat gjyqësore të planifikuara për t’u zhvilluar në Gjykatën e Lartë, përveç çështjeve me natyrë urgjente, do të shtyhen deri në përfundim të procesit të verifikimit të dëmeve, evidentimit dhe vlerësimit të gjendjes së dosjeve gjyqësore, si dhe për të rikthyer kushtet e nevojshme për vijimin e rregullt të veprimtarisë së institucionit
