Lajme

U arrestua pasi iu kapën fletëvotime – deklarohet Prokuroria rreth rastit në Graçanicë

Prokuroria Themelore në Prishtinë ka dalë me detajre rreth rastit të ndalimit për 48 orë një personi nën dyshimet për veprën penale “Dhënia ose marrja e ryshfetit në lidhje me votimin”

Sipas prokurorisë, rasti që ka të bëjë me procesin zgjedhor të së dielës ndodhi në fshatin Uglarë të Graçanicës dhe bëhet fjalë për të dyshuarin me A.T.

“Veprimet hetimore lidhur me këtë rast janë ndërmarrë menjëherë pas pranimit të informatave se në fshatin Uglarë, Komuna e Graçanicës, po zhvillohej një aktivitet i dyshuar që lidhej me procesin e votimit për zgjedhjet e përgjithshme të parakohshme. Gjatë zbatimit të veprimit hetimor dhe kontrollit të një lokali, si dhe të objekteve të tjera ku ishte lokalizuar vendndodhja e të dyshuarit, janë gjetur një numër i madh i fletëvotimeve të printuara me hijëzim të subjektit politik ‘’Lista Serbe 119’’, si dhe lista të printuara që përmbanin identititetin dhe të dhënat e votuesve. Sipas dyshimeve fillestare, i dyshuari kishte kontaktuar qytetarë nga komunitetit rom, ashkali dhe egjiptian duke u premtuar përfitime të ndryshme sociale në këmbim të votimit sipas udhëzimeve apo kërkesave të tij. Poashtu, ekzistojnë dyshime se ai u kishte ofruar udhëzime lidhur me mënyrën e plotësimit të fletëvotimeve në ditën e zgjedhjeve”.

Bëhet e ditur se i dyshuari është intervistuar në prani të mbrojtësit të tij, dhe me vendim të Prokurorit të Shtetit, ndaj tij është caktuar masa e ndalimit prej 48 orë.

Të Ngjashme