Kuriozitete

U arrestua për vjedhje me dhunë ndaj një të mituri, zbardhet ngjarja pas videos së publikuar mbi kontrollin në banesë

Drejtoria Vendore e Policisë Tiranë ka dalë me një njoftim zyrtar lidhur me një video të qarkulluar në rrjetet sociale, ku pretendohej për një ndërhyrje të shërbimeve të rendit gjatë natës në një banesë private. Policia sqaron se veprimet procedurale lidhen me hetimin e një ngjarjeje të dhunshme të ndodhur pak ditë më parë në kryeqytet.

Sipas të dhënave zyrtare, origjina e hetimit lidhet me denoncimin e bërë më 20 tetor 2026 nga një i mitur 17-vjeçar. I mituri ka kallëzuar se në rrugën “Hoxha Tasim” “një shtetas i panjohur, nën kërcënimin e një mjeti prerës(thikë), i kishte vjedhur me dhunë portofolin, duke i shkaktuar dëmtime trupore”.

Si rezultat i veprimeve operative dhe hetimore të kryera nga Komisariati i Policisë Nr. 1, mbrëmjen e datës 22 tetor u bë i mundur identifikimi dhe ndalimi i të dyshuarit, shtetasit F. M., 25 vjeç, i cili akuzohet për veprën penale “Vjedhja me dhunë”.

Në vijim të procedurave ligjore, efektivët e policisë kanë ushtruar kontroll në banesën e të arrestuarit. Policia bën me dije se gjatë këtij momenti ka pasur rezistencë nga familjarët e të riut. Përmes njoftimit sqarohet se “në kohën kur shërbimet e Policisë do të kryenin kontrollin e banesës, babai dhe motra e 25-vjeçarit kanë kundërshtuar punonjësit e Policisë, me qëllim pengimin e tyre në ushtrimin e kontrollit të banesës”.

Për këtë arsye, përveç ndalimit të 25-vjeçarit, policia ka nisur procedimin penal në gjendje të lirë edhe për dy familjarët e tij, shtetasit F. M. dhe M. M. Ndaj tyre rendorin veprat penale “Pengimi i zbulimit të së vërtetës” dhe “Kundërshtimi i punonjësit të policisë së rendit publik”.

Të gjitha materialet procedurale i janë dërguar Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë për veprime të mëtejshme hetimore.

Të Ngjashme