Një i ri i maskuar është kthyer në një nga personazhet më viralë të protestave të studentëve në Tiranë, pas një momenti të pazakontë gjatë raportimit të një gazetareje nga vendngjarja.
Teksa gazetarja po raportonte drejtpërdrejt nga protesta, i riu u shfaq në sfondin e kamerës dhe nisi të bënte disa gjeste me duar, duke mbuluar fillimisht gojën, më pas veshët dhe në fund sytë.
Pasi vuri re praninë e tij, gazetarja iu drejtua duke e pyetur nëse dëshironte të përcillte ndonjë mesazh. Megjithatë, në vend që të fliste, i riu përsëriti të njëjtat gjeste.
Momenti u shpërnda gjerësisht në rrjetet sociale, ndërsa shumë përdorues nisën të diskutonin se çfarë kishte dashur të shprehte protestuesi.
Në fakt, tri gjestet e të riut përputhen me një simbolikë të njohur ndërkombëtarisht si “See no evil, hear no evil, speak no evil”, që në shqip përkthehet “Mos shih të keqen, mos dëgjo të keqen, mos fol për të keqen”.
Kjo shprehje përfaqësohet nga tre majmunët e mençur, një simbol tradicional japonez. I pari, i quajtur Mizaru, mbulon sytë dhe përfaqëson shprehjen “See no evil” (Mos shih të keqen). I dyti, Kikazaru, mbulon veshët dhe simbolizon “Hear no evil” (Mos dëgjo të keqen), ndërsa i treti, Iwazaru, mbulon gojën dhe përfaqëson “Speak no evil” (Mos fol për të keqen).
Në kuptimin e saj tradicional, kjo filozofi lidhet me shmangien e së keqes në atë që njeriu sheh, dëgjon dhe thotë. Megjithatë, në përdorimin bashkëkohor, tri gjestet marrin shpesh edhe një kuptim kritik, duke simbolizuar njerëzit që zgjedhin të mbyllin sytë përballë padrejtësive, të mos dëgjojnë denoncimet dhe të heshtin për atë që ndodh.
Në kontekstin e protestës, gjestet e të riut mund të interpretohen pikërisht si një kritikë ndaj atyre që zgjedhin të mos shohin, të mos dëgjojnë dhe të mos flasin për padrejtësitë.
Pikërisht kontrasti mes përpjekjes së gazetares për ta bërë të fliste dhe këmbënguljes së tij për të komunikuar në heshtje e ka kthyer këtë moment në një nga episodet më të komentuara të protestave.
