Më 17 nëntor të vitit të kaluar, Bedri Hamza u zgjodh kryetar i Partisë Demokratike të Kosovës.
Pas gati një viti në këtë pozitë, emri i tij po lidhet me një largim të mundshëm nga drejtimi i partisë.
E për dorëheqjen dhe arsyen e largimit të tij deri më tani nuk ka një konfirmim zyrtar nga vetë Hamza.
Deputeti i PDK-së, Jakup Nura, thotë se partia ka strukturë të fortë dhe se largimi i Hamzës nuk do të ishte goditje e rëndë për të.
“Bedri Hamza është deklaru që nuk do të jetë kandidat i mundshëm për zgjedhjet që do të vijnë, por për një dorëheqje të tij unë e kam marrë vesh përmes medieve. Ne vetëm se i presim zgjedhjet në parti vitin e ardhshëm dhe shpresoj që aty do të zgjidhet kryetar ai që është më i miri. Ndërkaq ne kemi përjetu edhe goditje me të rëndë si largimi i Kadri Veselit që ka qenë në krye të partisë e me atë ne kemi qenë krejt të papërgatitur, kështu që jo vetëm Bedria por kush do që largohet nuk besoj që do të jetë ndonjë goditje se partia ka një strukturë të fortë”, ka thënë Nura.
Sa i përket pasuesit të mundshëm të Hamzës, Nura thotë se gara për kryetar do të jetë e hapur dhe se nuk ka vetëm një emër në garë.
“E di vetëm që gara do të jetë e fortë dhe partia demokratike do ta nxjerrë një kryetar unanim dhe një kryetar, kështu që nuk kam emra dhe nuk dua që të preferoj që të përmend emra, pasi që gara do të jetë e hapur, në qoftë së Vlora do të jetë kryetare e partisë nuk do të jetë diçka e keqe por nuk mund ta them që Vlora do të jetë e vetmja, unë besoj që Vlora do të jetë njëra ndër kandidatet por jo e vetmja”, u shpreh tutje Nura.
Ndërkaq, politologu Albinot Maloku e sheh largimin e mundshëm të Hamzës si përmbyllje të misionit të tij në krye të partisë.
“Veç se ka qenë një lloj paralajmërimi shumë kohë më përpara, dhe unë nuk po gjej ndonjë arsye thellësisht të një kundërshtie për brenda njerëzve të këtij subjekti politik sa si një përfundim të një misioni që i ka dhënë ai vetës në momentin ku është gjendja e këtij subjekti politik sot dhe për rrjedhoj konsideroj që largimi nga kreu i PDK është vetëm si pasojë e një përmbyllje të një misioni”, ka thënë Maloku.
Tëvë1 ka tentuar të kontaktojë edhe Vlora Çitakun për të marrë një përgjigje lidhur me mundësinë e kandidimit për kryetare të PDK-së, por e njëjta nuk ka qenë e qasshme.
Përveç Çitakut, edhe emri i Përparim Grudës është përfolur si një kandidaturë e mundshme për kryetar të ri të PDK-së.
