Një nxënës 14-vjeçar ka humbur jetën pasi u hodh në lumin Thames, në Londër, gjatë një dite kur temperaturat kaluan mbi 30 gradë Celsius.
I riu hyri në ujë në zonën Millwall Outer Dock, në lindje të Londrës, të hënën, por hasi vështirësi dhe nuk arriti të dilte më prej tij.
Në atë zonë ndodhet një platformë që përdoret nga të rinjtë për kërcime në ujë, pavarësisht tabelave paralajmëruese që ndalojnë notin, transmeton Klankosova.tv.
Banorët vendas thanë se djali ishte pjesë e një grupi të rinjsh që kishin shkuar aty për t’u freskuar gjatë valës së të nxehtit. Ata gjithashtu u shprehën se më parë zona kontrollohej nga roje të paguara nga Këshilli i Tower Hamlets, por ky shërbim ishte hequr.
Në vendngjarje mbërritën policia dhe shërbimet e emergjencës, por përpjekjet për ta shpëtuar 14-vjeçarin rezultuan të pasuksesshme, shkruan Metro, transmeton Klankosova.tv.
Në zonë ka tabela që paralajmërojnë se “noti pa autorizim nuk lejohet”, ndërsa një tjetër paralajmëron për “ujëra të thella”.
