Detaje të reja janë bërë publike lidhur me hetimin për rrjedhjen dhe shpërndarjen në internet të videove intime ku shfaqet kompozitori Adrian Hila.
Sipas raportimeve të bëra publike, policia ka marrë deklaratën e një këngëtari të ri, të identifikuar me inicialet G.H., i cili ka dalë nga një talent show për fëmijë dhe shfaqet gjithashtu në pamje intime me kompozitorin. I riu ka deklaruar para policisë se marrëdhënia ka qenë konsensuale dhe se ka nisur kur ai ka qenë në moshë madhore.
Rasti është bërë objekt hetimi pas publikimit të disa videove intime në rrjet. Më herët, një këngëtare nga Kosova ka bërë denoncim në polici për shpërndarjen e materialeve, duke deklaruar se Adrian Hila nuk është personi që i ka publikuar videot.
Sipas dëshmisë së saj, përgjegjësia për nxjerrjen e materialeve i atribuohet një personi që, sipas saj, ka qenë ndër të parët që i ka publikuar ato në portale dhe të cilin ajo e ka identifikuar me emër.
Ndërkohë, Adrian Hila po hetohet në gjendje të lirë për veprën penale “ndërhyrje e padrejtë në jetën private”. Sipas parashikimeve të Kodit Penal, kjo vepër parashikon dënim me gjobë ose burgim deri në dy vjet.
Hetimet vijojnë për të përcaktuar rrethanat e regjistrimit, marrjes dhe shpërndarjes së videove, si dhe përgjegjësit e mundshëm për publikimin e tyre.
