Kryetari i Partia Demokratike e Kosovës, Bedri Hamza, ka bërë të ditur se kryetari i Nisma Socialdemokrate, Fatmir Limaj, nuk do të jetë pjesë e listës zgjedhore të PDK-së për deputetë.
Pas mbledhjes së kryesisë së partisë, Hamza tha se PDK-ja ka pranuar një letër nga Limaj, përmes së cilës është ofruar mbështetja e Nismës për PDK-në në zgjedhjet e ardhshme.
“Sipas diskutimeve të fundit në media, ne kemi pranuar një letër nga kryetari i Nismës Socialdemokrate, z. Fatmir Limaj. Pas diskutimeve në kryesinë e PDK-së, kemi një qëndrim të përgjithshëm: e mirëpresim kontributin e z. Limaj dhe Nismës që do të japin për PDK-në në këto zgjedhje. Jemi të bindur që kjo mbështetje do ta rrisë votën për partinë tonë”, deklaroi Hamza.
Ai sqaroi se Limaj nuk ka kërkuar të jetë pjesë e listës zgjedhore të PDK-së.
“Për korrektësi ndaj jush, z. Limaj nuk do të jetë pjesë e listës zgjedhore të PDK-së për deputetë. Ky ka qenë edhe vullneti i tij, pasi në letrën e dërguar ai nuk ka kërkuar të jetë pjesë e listës, por ka ofruar mbështetjen e subjektit të tij për rrugëtimin tonë të përbashkët”, u shpreh Hamza.
Hamza komentoi edhe praktikën e partive politike për nominimin e kandidatëve për kryeministër, duke thënë se në zgjedhje të gjithë fillimisht garojnë për deputetë në Kuvendin e Kosovës.
“Zgjedhjet mbahen për Kuvendin e Republikës së Kosovës. Ne të gjithë garojmë për një vend në ulëset për deputetë të Kuvendit të Republikës së Kosovës. Është bërë një trend që të nominalizohet një kandidat për kryeministër, ndërsa realisht të gjithë garojmë fillimisht për deputetë”, tha ai.
Sipas Hamzës, çështjet që lidhen me postet qeveritare varen nga rezultati zgjedhor dhe marrëveshjet politike që mund të arrihen pas zgjedhjeve.
