Lajme

Ura e Ibrit dhe Manastiri i Deçanit nën përgjegjësinë e Policisë së Kosovës, Bytyçi: Opozitës i prishet skenari kundër Kurtit!

Dy zhvillime të fundit në fushën e sigurisë, vendimi i KFOR-it për tranzicionin gradual të pranisë së tij të përhershme nga Ura e Ibrit në Mitrovicë dhe integrimi gradual i Policisë së Kosovës në arkitekturën e sigurisë së KFOR-it në Manastirin e Deçanit, kanë hapur diskutime mbi rritjen e përgjegjësisë së institucioneve të Kosovës për garantimin e sigurisë në territorin e vendit.

Këto zhvillime, të cilat KFOR-i dhe NATO i kanë lidhur me përmirësimin e situatës së sigurisë në Kosovë, shihen edhe si një sinjal për rritjen e besimit ndaj kapaciteteve të institucioneve vendore, veçanërisht Policisë së Kosovës. Në të njëjtën kohë, vendimi ka nxitur reagime në Beograd, ndërsa në Kosovë është ngritur pyetja nëse ky hap duhet të trajtohet si sukses politik i qeverisë aktuale apo si një zhvillim institucional në interes të shtetit.

Në lidhje me këto zhvillime, për “Bota sot” foli profesori Enver Bytyçi.

Image
Enver Bytyçi

Sipas tij, vendimet e fundit të KFOR-it për Urën e Ibrit dhe Manastirin e Deçanit përbëjnë një dëshmi të përmirësimit të sigurisë në Kosovë dhe të besimit që NATO ka krijuar ndaj Policisë së Kosovës. Ai vlerëson se këto zhvillime janë të rëndësishme jo vetëm në aspektin e sigurisë, por edhe në atë politik, pasi dëshmojnë rritjen e kapaciteteve të institucioneve të Kosovës për të garantuar rendin dhe stabilitetin.

“Dy ngjarje ndodhën ditët e fundit: KFOR-i njoftoi se po ia bart përgjegjësitë për Urën e Ibrit Policisë së Kosovës dhe po ashtu kësaj policie po ia jep edhe të drejtën për të garantuar normalitetin në Manastirin e Deçanit. Të dyja këto ngjarje kanë një argument, përmirësimin e situatës së sigurisë në Kosovë. Të dyja këto zhvillime i injoruan dhe u heshtën nga mediet si dhe opozita e Kosovës, madje u eklipsuan nga veprimet destruktive dhe anarkiste në Kuvendin e Kosovës”, deklaroi Bytyçi.

Profesori vlerëson se këto vendime nuk janë të rastësishme, por rezultat i një procesi gradual të forcimit të institucioneve të Kosovës dhe rritjes së besimit ndërkombëtar ndaj tyre.

Sipas tij, fakti që KFOR-i po i kalon gradualisht disa përgjegjësi te Policia e Kosovës tregon se institucionet vendore janë në gjendje të marrin përsipër gjithnjë e më shumë përgjegjësi në garantimin e sigurisë.

“Një ditë këto dy objekte të rëndësisë së veçantë, të cilat kishin potencial të shkaktonin pasiguri në Kosovë, do të kalonin në kompetencën e Policisë së Kosovës. Por duhej siguri dhe garanci. KFOR dhe NATO vlerësojnë se në Kosovë ka garanci dhe siguri. E si erdhëm deri këtu? Erdhëm pikërisht nga ato sjelljet kokëforta të Albin Kurtit, të cilat opozita i paraqiti gjithmonë si ‘katastrofë’ për Kosovën. Tani shohim se ‘katastrofa’ nuk paska qenë për Kosovën, por për Serbinë”, u shpreh ai.

Bytyçi e lidh këtë zhvillim edhe me reagimet e presidentit serb Aleksandër Vuçiq, i cili ka kritikuar vendimet e KFOR-it dhe komandantin e misionit. Sipas tij, reagimi i Beogradit dëshmon se këto hapa prekin drejtpërdrejt interesat politike të Serbisë në raport me Kosovën.

“Beogradi është inatosur për këto zhvillime shumë pozitive, sepse e sheh se përfundimisht nuk kthehet më kurrë në Kosovë, as nuk mundet ta kafshojë atë në ndonjë cep të hartës së saj. Beogradi merr me këtë rast mesazhin se NATO është me Kosovën dhe nuk pranon partnerë me njëqind fytyra si Aleksandër Vuçiq”, deklaroi Bytyçi.

Sipas tij, vendimi i KFOR-it dërgon një mesazh të qartë se përgjegjësia për sigurinë e Kosovës po kalon gjithnjë e më shumë te institucionet e saj dhe se procesi i forcimit të shtetit nuk mund të zhbëhet përmes presioneve politike nga jashtë.

Profesori e sheh këtë zhvillim edhe si një sukses politik për Qeverinë e Kosovës, duke argumentuar se përmirësimi i situatës së sigurisë dhe rritja e besimit ndaj Policisë së Kosovës legjitimojnë, sipas tij, politikat e ndjekura nga kryeministri Albin Kurti.

“Stabiliteti dhe siguria në Kosovë erdhën si rezultat i veprimeve të guximshme, madje në kundërshtim me këshillat e aleatëve, të kryeministrit Kurti. Kjo jo vetëm legjitimon ato veprime dhe vetë politikat e sigurisë të kësaj qeverie, por edhe rrit autoritetin e saj përballë qytetarëve të vendit”, tha ai.

Në këtë kontekst, Bytyçi kritikon opozitën për mënyrën se si, sipas tij, po e trajton këtë zhvillim. Ai pretendon se një pjesë e opozitës ka interes ta minimizojë çdo rezultat pozitiv të qeverisë aktuale dhe se zhvillimet e fundit në fushën e sigurisë ua dobësojnë argumentet politike kundër saj.

“Po opozitarët pse shfaqen të mërzitur nga ky zhvillim?! Sepse ata kanë hartuar një skenar destabilizimi e mobilizimi të qytetarëve në protestë kundër qeverisë Kurti dhe politikave të tij. Kthimi i Urës dhe Manastirit në mbikëqyrjen e Policisë së Kosovës ua prish alibinë, ua prish edhe planet e skenarin”, u shpreh profesori.

Megjithatë, sipas Bytyçit, ky zhvillim nuk duhet të shihet vetëm si një sukses i një partie apo qeverie, por si një arritje që lidhet me konsolidimin e shtetit të Kosovës dhe forcimin e institucioneve të tij.

“Këto dy vendime të NATO-s nuk janë të rastësishme. Ato shprehin aftësinë e institucioneve të Kosovës për të ndërtuar shtetin dhe garantuar paqen e sigurinë në Kosovë e në rajon. Nuk e garantojnë paqen e stabilitetin deklaratat oportuniste të Edi Ramës në adresë të Aleksandër Vuçiqit e as akuzat e tij për ‘nacionalizmin’ e Prishtinës. E garantojnë politikat e veprimit aktiv në mbrojtje të lirisë, pavarësisë dhe shtetësisë së Kosovës si dhe sovranitetit të saj. Ky është mësimi më i madh”, deklaroi ai.

Në fund, profesori thekson se politika duhet ta trajtojë rritjen e përgjegjësive të Policisë së Kosovës si një zhvillim institucional që i shërben shtetit, pavarësisht se kush ndodhet në pushtet. Sipas tij, një opozitë e përgjegjshme duhet të vlerësojë çdo hap që forcon sigurinë dhe sovranitetin e Kosovës, edhe kur ai i atribuohet qeverisë kundërshtare.

“Është e turpshme për çfarë shohim se si sillet opozita sot në Kosovë dhe pse ajo nuk shpreh kurrfarë respekti për gjithë këto suksese të qeverisë së Albin Kurtit!”, përmbylli Enver Bytyçi për “Bota sot”.

Të Ngjashme