Nga restorantet e ushqimit të shpejtë deri te kuzhinat elegante, patatet e skuqura janë një nga shoqërueset më të përhapura të ushqimit. Edhe pse sot lidhen ngushtë me kuzhinën amerikane, origjina e tyre është shumë më e ndërlikuar nga sa sugjeron emri.
Nga vijnë patatet e skuqura?
Një histori e përhapur që nga vitet 1980 thotë se patatet e skuqura u shpikën në Belgjikë, nga fshatarët që jetonin pranë lumit Meuse. Sipas legjendës, kur lumi ngrinte dhe peshkimi bëhej i pamundur, ata prisnin patatet në formë të ngjashme me peshqit dhe i skuqnin.
Megjithatë, historiani i ushqimit Pierre Leclercq e quan këtë histori një keqinterpretim të një dorëshkrimi të vitit 1781. Sipas tij, patatet mund të kenë mbërritur në atë rajon vetëm rreth vitit 1735, ndërsa yndyra e nevojshme për skuqje ishte një luks që fshatarët nuk e kishin lehtësisht në dispozicion.
Edhe Spanja mund të ketë pasur pjata të ngjashme me patate të skuqura, pasi ishte ndër vendet e para europiane ku patatja mbërriti nga Amerika e Jugut në shekullin XVI.
Lindja në Paris
Sipas Leclercq, patatja e skuqur moderne, e prerë në shkopinj dhe e skuqur në yndyrë të nxehtë, u shfaq në rrugët e Parisit në fillim të shekullit XIX. Shitësit ambulantë i ofronin në kone letre, ndoshta që në vitet 1790 dhe me siguri deri në vitet 1820.
Gjatë viteve 1830–1840, patatet e skuqura u bënë jashtëzakonisht të njohura në Paris dhe u shndërruan në një ushqim karakteristik të klasës punëtore.
Ironikisht, pas Luftës së Dytë Botërore, ideja se patatet e skuqura ishin një shpikje belge u përhap gjerësisht edhe në Belgjikë, ku më pas u zhvillua një kulturë e fuqishme rreth tyre.
Si u bënë amerikane?
Thomas Jefferson shpesh përmendet si personi që i solli patatet e skuqura në SHBA pasi i provoi në Francë. Në dokumentet e tij ekziston vërtet një recetë për “patate të përgatitura në mënyrën franceze”, por patatet aty priteshin në feta të rrumbullakëta, jo në shkopinj. Nuk ka prova se Jefferson shkaktoi popullarizimin e tyre në gjithë Amerikën.
Patatet e skuqura u shfaqën në restorante dhe libra gatimi amerikanë që nga mesi i shekullit XIX. Në fillim ishin kryesisht një garniturë për ushqimet e tryezës. Në shekullin XX, ato u bënë shoqërues i zakonshëm i biftekut, ndërsa patatet e ngrira e bënë prodhimin masiv shumë më të lehtë.
Pika vendimtare ishte zgjerimi i zinxhirëve të fastfudit pas Luftës së Dytë Botërore. Kështu, patatet e skuqura u shndërruan nga një garniturë e zakonshme në një nga ushqimet më karakteristike të kulturës moderne amerikane.
