Policia e Kosovës, përmes Drejtorisë për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Korrupsionit, në bashkëpunim me Inspektoratin Shëndetësor të ministrisë kompetente, më 16.08.2026, në një lokacion në Prishtinë ka realizuar një inspektim lidhur me dyshimet për ushtrim të veprimtarisë në lëmin e ortoprotetikës pa licencën përkatëse.
Gjatë inspektimit është vënë re dhe dyshohet ofrimi i shërbimeve shëndetësore në kundërshtim me dispozitat ligjore, me ç’rast Inspektorati kompetent ka ndaluar ofrimin e këtyre shërbimeve.
Lidhur me rastin është njoftuar Prokurori i Shtetit, me urdhër të të cilit dy persona të dyshuar, shtetas të huaj, janë intervistuar në prani të avokatëve mbrojtës dhe, pas përfundimit të procedurave, me aktvendim të prokurorit janë ndaluar për 48 orë.
Rasti është duke u trajtuar nga organet kompetente për procedura të mëtejme ligjore.
