Shqipëria do të përballet të dielën me ditën më të nxehtë të kësaj jave, me temperaturat që në disa zona pritet të arrijnë deri në 39°C.
Sinoptikania Lajda Porja deklaroi se vlera më e lartë do të regjistrohet në qarkun e Shkodrës, ndërsa temperaturat do të ngjiten në 38°C në Elbasan, Berat dhe Gjirokastër.
Në pjesën më të madhe të ultësirës perëndimore termometri do të shënojë 36-37°C, ndërsa në zonat bregdetare temperaturat do të luhaten nga 33 deri në 35°C.
Edhe Tirana do të përjetojë një fundjavë të nxehtë. Megjithëse nuk parashikohen reshje, vranësirat dhe lagështira e lartë do ta bëjnë të nxehtin të ndihet edhe më intensiv. Sipas Porjes, në kryeqytet temperatura e ndjeshme mund të arrijë deri në 40°C.
Temperaturat e larta nuk do të jenë vetëm një episod i së dielës. Ato pritet të vijojnë gjatë gjithë dhjetëditëshit të fundit të gushtit, me vlera kryesisht 36-37°C në ultësirën perëndimore.
Sipas sinoptikanes, Shqipëria do të vijojë të mbetet në periferi të një vale të nxehtë afrikane që ka prekur edhe vende të tjera të Mesdheut.
Rebeshe të izoluara në zonat lindore
Ndërkohë, reshjet do të jenë të pakta dhe kryesisht lokale. Gjatë ditëve të premte, të shtunë dhe të dielë mund të ketë rebeshe të shkurtra në Librazhd, Elbasan, Pogradec, Korçë, Ersekë, Bilisht, Tepelenë dhe Përmet.
Megjithatë, reshjet do të jenë tepër të izoluara dhe me kohëzgjatje të shkurtër, duke prekur vetëm zona të caktuara.Në bregdet moti do të mbetet kryesisht i kthjellët, ndërsa në Tiranë priten intervale me diell gjatë paradites dhe vranësira më të dendura gjatë pasdites, pa sinjale për reshje të rëndësishme.
Sipas Porjes, deri në fund të gushtit nuk pritet një ndryshim i ndjeshëm i situatës atmosferike. Temperaturat do të mbeten të larta, ndërsa reshjet do të vazhdojnë të jenë të izoluara, kryesisht në zonat malore lindore.
