Dy foshnja të vrara, familjet lajmërohen
Intervista e Hazirit zbuloi familjet e dy foshnjave të luftës
Dy varre, pranë njëri-tjetrit.
Në to preheshin dy foshnja, njëra vetëm katër javëshe, e tjetra gjashtë muajshe.
Të dyja u vranë gjatë luftës së fundit në Kosovë, pas bombardimeve të ushtrisë serbe në Shipol të Mitrovicës.
Për vite me radhë, varret e tyre mbetën pa emra.
Që nga viti 2012, kur ishin marrë nga morgu, foshnjat ishin varrosur në Shipol, por familjarët e tyre nuk u lajmëruan.
Vetëm një intervistë për media e disa muajve më parë e Gjyle Hazirit, kryetares së organizatës “Zëri i Prindërve”, bëri që familjet të lajmëroheshin dhe të kërkonin identifikimin e fëmijëve të tyre.
“Para 9 muajve e kam dhënë një intervistë lidhur me këto dy raste edhe në një kohë jo fort të gjatë i janë lajmëruar Kushtrim Garës. Familja prej Obrisë ka thënë që ajo beba gjashtëmuajshe është e jona. Pas tri ditësh erdhën edhe familjarët e Kaqandollit edhe thanë që kjo beba katërditëshe është e jona”, shprehet ajo.
Komisioni Qeveritar për Persona të Zhdukur, tashmë ka bërë gërmimin në këtë lokacion, duke zhvarrosur mbetjet mortore.
“Dje ka qenë e planifikuar dhe realizuar aktiviteti vlerësues, gërmues, gjatë të cilit edhe janë zhvarrosur mbetje mortore të një viktime ose të një rasti që ka ndërruar jetë në rrethanat e luftës dhe si proces më shumë do ta konsideronim si proces në kuadër të procesit për konfirmim të identitetit”, tha Kushtrim Gara, kryetar i këtij komisioni.
Kosova ka akoma rreth 1600 të zhdukur gjatë luftës.
Për familjet, pritja vazhdon.
Gjyle Haziri tregon se në komunën e Mitrovicës ende janë 96 persona të pagjetur.
“Për momentin janë edhe 96 nga 337 kanë qenë krejt, 111 janë zhvarrosur menjëherë pas luftës, në vitin 2001, në varrezat e Suhodollit, e kështu me radhë”, tha ajo.
Rastin e ka konfirmuar edhe Policia e Kosovës. Sipas saj, mbetjet mortore janë tërhequr nga vendi i ngjarjes dhe janë dërguar në Institutin e Mjekësisë Ligjore.
