Lajme

Zulfaj takohet me Katarina Barley, diskutohen hapat e Kosovës drejt anëtarësimit në BE

Kryenegociatori i Kosovës me Bashkimin Evropian, Jeton Zulfaj, ka zhvilluar një takim me Katarina Barley, nënkryetare e Parlamentit Evropian dhe nënkryetare ekzekutive e Partisë së Socialistëve Evropianë (PES), ku në fokus ishte perspektiva evropiane e Kosovës dhe procesi i zgjerimit të BE-së.

Gjatë takimit, Zulfaj e falënderoi Barley për mbështetjen e saj në avancimin e Kosovës drejt anëtarësimit në Bashkimin Evropian. Bashkëbiseduesit diskutuan edhe për zhvillimet e fundit gjeopolitike në Evropë, të cilat kanë rikthyer procesin e zgjerimit në qendër të vëmendjes së institucioneve evropiane.

Kryenegociatori Zulfaj theksoi se marrja e statusit të vendit kandidat dhe hapja e negociatave për anëtarësim mbeten objektivat kryesore të Kosovës në rrugën drejt integrimit evropian.

Ai nënvizoi rëndësinë e angazhimit të Barley në mobilizimin e mbështetjes politike brenda institucioneve evropiane, me qëllim që perspektiva evropiane e Kosovës të përkthehet në hapa konkretë institucionalë.

Takimi vjen në një kohë kur çështja e zgjerimit të Bashkimit Evropian po rikthehet në fokusin e debatit politik evropian, ndërsa Kosova synon të avancojë procesin e saj të integrimit dhe të sigurojë përkrahje për hapat e ardhshëm drejt anëtarësimit.

Të Ngjashme