Zbulimi i vazhdueshëm i varrezave masive në Kosovë ka rikthyer në vëmendje përmasat e krimeve të kryera ndaj shqiptarëve gjatë luftës së viteve 1998–1999.
Çdo dëshmi e re nga këto lokacione nxjerr në pah një histori të dhimbshme të vrasjeve, zhdukjeve dhe krimeve të rënda të kryera nga forcat serbe ndaj popullsisë civile.
Ekspertët e drejtësisë dhe të fushës së krimeve të luftës vlerësojnë se këto prova përbëjnë një bazë të rëndësishme për ndjekje penale dhe zbardhjen e plotë të së vërtetës. Megjithatë, mbetet e hapur çështja nëse këto krime mund të trajtohen nga Dhomat e Specializuara të Kosovës, duke marrë parasysh mandatin e kufizuar të kësaj gjykate. Sipas vlerësimeve juridike, përgjegjësia për krimet e kryera gjatë luftës duhet të ndiqet përmes mekanizmave kompetentë vendorë dhe ndërkombëtarë, pasi krimet e luftës dhe ato kundër njerëzimit nuk parashkruhen.
Zbulimet e reja të varrezave masive po shtojnë presionin për hapjen e arkivave dhe zbardhjen e fatit të mijëra viktimave të luftës.
Ndërsa familjet e të pagjeturve ende kërkojnë drejtësi, mbetet kërkesa që autorët dhe urdhërdhënësit e këtyre krimeve të përballen me përgjegjësi para drejtësisë.
Bajraktari thotë se kallëzimi penal i një të mbijetuari të Dubravës në Prokurorinë e Specializuar nuk ka dhënë ende rezultate publike
Avokati dhe juristi Ardian Bajraktari ka vlerësuar se rastet e krimeve të kryera në masakrën e Dubravës duhet të trajtohen nga institucionet e drejtësisë së Kosovës, përfshirë edhe mundësinë e zhvillimit të gjykimeve në mungesë ndaj të dyshuarve.

Avokati dhe juristi Ardian Bajraktari
Duke folur për këtë çështje për “Bota sot”, Bajraktari ka bërë të ditur se një i mbijetuar i masakrës së Dubravës më herët ka paraqitur kallëzim penal në Prokurorinë e Specializuar, me kërkesë për të vlerësuar nëse kjo çështje hyn në juridiksionin e saj.
“Lidhur me këtë çështje, kohë më parë një i mbijetuar i masakrës së Dubravës ka paraqitur kallëzim penal në Prokurorinë e Specializuar për të vlerësuar juridiksionin e saj mbi këto raste. Deri më tani nuk është bërë publik ndonjë informacion nëse ai është trajtuar”, ka deklaruar Bajraktari për ‘Bota sot’.
Sipas tij, mungesa e një informacioni publik për trajtimin e këtij kallëzimi e bën të domosdoshme që institucionet e Kosovës të ndërmarrin hapa konkretë për zbardhjen e këtyre krimeve.
“Prandaj, vlerësoj se këto raste duhet të trajtohen nga institucionet e Kosovës, përfshirë edhe mundësinë e gjykimit në mungesë, siç e lejon tashmë Kodi i Procedurës Penale”, ka theksuar Bajraktari.
Masakra e Dubravës, një prej ngjarjeve më të rënda gjatë luftës në Kosovë, vazhdon të mbetet një nga rastet për të cilat familjarët e viktimave dhe të mbijetuarit kërkojnë drejtësi dhe përgjegjësi penale për autorët.
Racaj thotë se krimet e kryera nga forcat serbe gjatë luftës nuk parashkruhen dhe kërkon presion ndërkombëtar për zbardhjen e plotë të së vërtetës
Zbulimi i varrezave masive në Kosovë është një dëshmi e pakundërshtueshme për krimet e rënda të luftës dhe krimet kundër njerëzimit të kryera gjatë viteve 1998–1999 nga forcat ushtarake, policore dhe paramilitare serbe, ka deklaruar profesori Muhamet Racaj për “Bota Sot”.
Sipas tij, çdo zbulim i ri i varrezave masive forcon edhe më shumë të vërtetën historike dhe juridike për politikën sistematike të spastrimit etnik të ushtruar nga regjimi i atëhershëm i Serbisë.

Muhamet Racaj
“Zbulimi i varrezave masive në Kosovë është dëshmi e pakundërshtueshme se gjatë luftës së viteve 1998–1999 janë kryer krime të rënda lufte dhe krime kundër njerëzimit nga forcat ushtarake, policore dhe paramilitare serbe. Çdo varrezë e re masive forcon të vërtetën historike dhe juridike mbi politikën sistematike të spastrimit etnik të ushtruar nga regjimi i atëhershëm i Serbisë”, ka thënë Racaj.
Ai ka sqaruar se këto krime nuk përfshihen në mandatin e Dhomave të Specializuara të Kosovës, pasi juridiksioni i kësaj gjykate është i kufizuar në çështje të caktuara që lidhen me pretendimet ndaj ish-pjesëtarëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.
“Duhet theksuar se këto krime nuk bien në juridiksionin e Dhomave të Specializuara të Kosovës, pasi mandati i tyre është i kufizuar në hetimin dhe gjykimin e veprave të caktuara të lidhura me pretendimet ndaj ish-pjesëtarëve të UÇK-së. Prandaj, krimet e kryera nga forcat serbe nuk mund të gjykohen nga kjo gjykatë”, ka deklaruar ai.
Megjithatë, Racaj thekson se kjo nuk nënkupton se përgjegjësit e këtyre krimeve duhet t’i shmangen drejtësisë.
“Kjo nuk do të thotë se autorët e këtyre krimeve nuk duhet të mbajnë përgjegjësi. Përkundrazi, provat e reja që dalin nga zbulimi i varrezave masive duhet të shërbejnë për ngritjen e aktakuzave në mekanizmat kompetentë kombëtarë dhe ndërkombëtarë”, është shprehur profesori.
Ai ka rikujtuar se krimet e luftës dhe krimet kundër njerëzimit nuk parashkruhen dhe se autorët e tyre mund të ndiqen penalisht edhe pas shumë vitesh.
“Krimet e luftës dhe krimet kundër njerëzimit nuk parashkruhen dhe autorët e tyre mund të ndiqen penalisht pavarësisht kohës që ka kaluar”, ka theksuar Racaj.
Në fund, ai ka kërkuar një angazhim më të madh të bashkësisë ndërkombëtare ndaj Serbisë për zbardhjen e fatit të viktimave të luftës dhe dorëzimin e përgjegjësve para drejtësisë.
“Bashkësia ndërkombëtare duhet të ushtrojë presion më të madh mbi Serbinë për hapjen e arkivave ushtarake e policore, zbulimin e vendndodhjes së të gjitha varrezave masive dhe dorëzimin para drejtësisë të përgjegjësve. Pa drejtësi nuk mund të ketë pajtim të sinqertë dhe pa zbardhjen e plotë të së vërtetës nuk mund të ketë paqe të qëndrueshme në Ballkan”, ka përfunduar Muhamet Racaj për “Bota sot”.
