Ndryshimet në Top Channel duket se do të prekin edhe një prej emisioneve më jetëgjata të televizionit shqiptar.
Pas më shumë se dy dekadash në krye të “Fiks Fare”, Filip Çakuli pritet të largohet nga drejtimi i emisionit investigativ.
Sipas Vip Magazine, Çakuli dhe zëvendësuesja e tij, Denisa Haxhiaj, janë njoftuar për largimin nga emisioni, ndërsa drejtimi i skuadrës mësohet se i është besuar gazetares Antela Lika.
Bëhet fjalë për një ndryshim të rëndësishëm për “Fiks Fare”, format që prej 25 vitesh është pjesë e programacionit të Top Channel dhe që përgjatë kësaj periudhe është identifikuar ngushtë me Filip Çakulin.
Antela Lika nuk është një emër i ri për emisionin. Ajo ka qenë prej vitesh pjesë e ekipit dhe autore e një sërë investigimesh e denoncimesh të transmetuara në “Fiks Fare”.
Sipas të njëjtave burime, emisioni do të vazhdojë të jetë pjesë e ekranit, por tashmë nën një drejtim të ri. Deri në këtë moment, Top Channel nuk ka bërë një njoftim zyrtar për largimin e Çakulit apo ndryshimet në drejtimin e formatit.
Lëvizja vjen në prag të sezonit të ri televiziv, në një periudhë kur në Top Channel janë raportuar disa ndryshime në programe dhe emra të ekranit. Për “Fiks Fare”, megjithatë, bëhet fjalë për një prej ndryshimeve më të mëdha në historinë e tij, për shkak të lidhjes shumëvjeçare të Filip Çakulit me emisionin.
