Lajme

Veliu fajëson Abdixhikun e Osmanin për rezultatin, kërkon zgjedhje të brendshme në LDK

Ish-deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Agim Veliu, ka kritikuar ashpër lidershipin aktual të partisë pas rezultatit të zgjedhjeve të 7 qershorit, duke vlerësuar se rezultati nuk mund të interpretohet si sukses dhe se përgjegjësia politike bie mbi drejtuesit e partisë.

Përmes një postimi në Facebook, Veliu tha se qytetarët e kanë dhënë qartë verdiktin e tyre, ndërsa LDK-ja ka mbetur në vendin e tretë, larg pritjeve që sipas tij i kishte krijuar vetë udhëheqja e partisë gjatë dhe para fushatës zgjedhore.

Ai theksoi se përgjegjësia për këtë rezultat bie kryesisht mbi kryetarin e LDK-së, Lumir Abdixhiku, dhe presidenten Vjosa Osmani, të cilët i cilësoi si “arkitektët kryesorë” të projektit politik që, sipas tij, nisi “me hile”.

Veliu akuzoi lidershipin aktual për centralizim të partisë, margjinalizim të mendimit ndryshe dhe largim nga baza elektorale, duke shtuar se paralajmërimet e veprimtarëve dhe aktivistëve të LDK-së për këto probleme janë shpërfillur.

“Rezultati zgjedhor dëshmoi se ato shqetësime nuk ishin të pabaza”, tha ai.

Ish-deputeti kërkoi që udhëheqja aktuale të pranojë dështimin e projektit të saj për transformimin e partisë dhe të nisë një proces të rregullt e transparent zgjedhor brenda LDK-së.

Të Ngjashme