Veprimtari shqiptaro-amerikan, Ramzan Bekteshi, ka reaguar ndaj deklaratave të Ivica Daçiqit, i cili gjatë fushatës zgjedhore ka thënë se “herët a vonë, flamuri serb do të valojë mbi Prizren”.
Bekteshi, përmes një reagimi publik, e ka cilësuar Daçiqin si trashëgimtar politik të Slobodan Millosheviqit, duke kritikuar deklaratat e tij për Prizrenin dhe duke i cilësuar ato si pretendime territoriale ndaj Kosovës.
Ai ka theksuar se flamuri serb mund të përdoret ligjërisht nga komuniteti serb në Kosovë, por jo si simbol i pretendimeve territoriale ndaj një shteti të pavarur.
Në reagimin e tij, Bekteshi ka kërkuar gjithashtu që Daçiqi të japë përgjegjësi për të kaluarën e tij politike dhe ka bërë thirrje që Haga, Prishtina dhe Sarajeva të kërkojnë ndjekjen e tij për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit.
Shkrimi i plotë:
Daçiqi, trashëgimtari politik i Millosheviqit, ende ëndërron për Prizrenin
“Herët a vonë, flamuri serb do të valojë mbi Prizren” dhe “Prizreni ka qenë kryeqyteti i parë serb tetë shekuj më parë” janë deklaratat e fundit gjatë fushatës zgjedhore të Ivica Daçiqit, ish-krahut të djathtë të Millosheviqit.
Z. Daçiq, sa ‘prekëse’! Ju, njeriu që i përkiste establishmentit politik të Millosheviqit gjatë luftërave në ish-Jugosllavi, ende po i shisni fantazitë nacionaliste të djeshme si program politik për të ardhmen. Me sa duket, ti nuk mësove kurrë nga historia; thjesht pret të gjesh një audiencë të re për ta mashtruar.
Flamuri serb nuk është problem kur përdoret ligjërisht nga qytetarët dhe komuniteti serb i Kosovës. Problemi lind kur simboli shndërrohet në mesazh të një pretendimi territorial mbi një shtet të pavarur. Daçiq, neni 6 i Ligjit të Kosovës nr. 03/L-038 garanton të drejtën e komuniteteve për përdorimin e simboleve të tyre kombëtare dhe komunitare në Kosovë.
E kur këto fjalë vijnë nga ti, Daçiq, hipokrizia bëhet edhe më e madhe, sepse ti nuk mund ta kalosh karrierën politike të lidhur me epokën e Millosheviqit e pastaj të pretendosh se historia e atij regjimi është problem i dikujt tjetër. Populli i Kosovës e kujton represionin, shkatërrimin, dëbimet, masakrat dhe vuajtjet. Asnjë rishpikje politike si kjo e jotja nuk mund ta fshijë atë histori dhe as ta zhdukë nevojën për përgjegjësi.
Prandaj, Daçiq, flamuri që përmende ti nuk është tapi pronësie, dhe as slogani nuk është argument juridik, por as përsëritja juaj e një fantazie territoriale nuk e bën atë realitet. Por ti, Daçiq, me sa duket, nuk e ke kuptuar ende leksionin.
Z. Daçiq, prova të besueshme e vërtetojnë përgjegjësinë tënde personale për krime që hyjnë në juridiksionin e gjykatave të Kosovës; statusi yt politik në Serbi, me hyrjen në Kosovë, shndërrohet automatikisht në të pandehur për krime lufte. Çdo hetim apo ndjekje penale do të zhvillohet në përputhje me procedurat ligjore dhe parimin e procesit të rregullt gjyqësor në Kosovë.
Ti, Daçiq, mund të vazhdosh të bësh fushatë me hartat e së kaluarës dhe me ëndrrat për flamuj mbi qytetet e Kosovës. Por historia nuk rishkruhet me slogane elektorale dhe sovraniteti i një shteti nuk shfuqizohet me nostalgji nacionaliste.
Lidhja juaj politike me epokën e Millosheviqit është pjesë e biografisë suaj publike; po aq publike janë edhe deklaratat tuaja të sotme për Prizrenin. Pikërisht për këtë arsye, ti duhet të japësh përgjigje politike për vazhdimësinë e këtij diskursi, në vend se ta paraqesësh si patriotizëm të pafajshëm.
Z. Daçiq, ky paragraf është njëkohësisht edhe një ‘telegram’ për ty: ti, si zëdhënës i Millosheviqit, herë i paralajmëroje e herë jo krimet e bosit tënd në Kosovë e Bosnjë. Andaj, z. Daçiq, tani është koha që Haga, Prishtina dhe Sarajeva të kërkojnë ekstradimin tuaj në njërin nga këto qytete dhe të përgjigjesh për krime kundër njerëzimit dhe për gjenocid, mu tani kur tregon ambicie për t’u bërë kryetar i Serbisë gjenocidale dhe kur ke ambicie të sëmura për qytetin e Lidhjes së Prizrenit.
