Me thirrjet “Rama jepe dorëheqjen” apo “pa rini nuk ka Shqipëri”, mijëra studentë janë tubuar përpara Ministrisë së Arsimit këtë të martë.
Të rinjtë kanë nisur hedhjen e vezëve, apo tullumbaceve me bojë në drejtim të godinës. Edhe muret e jashtme të godinës kanë nisur të mbishkruhen me mesazhe të ndryshme. “Sytë nga ju”, është një prej mesazheve.
Thirrja e kësaj proteste vjen në një kohë kur për 135 ditë me radhë vendi është në një valë protestash të njohura si “Revolucioni Flamingo”, nisur nga kundërshtimet për ndërtimin në zonën e mbrojtur të Zvërnecit dhe Nartës.
Vlen të kujtojmë se Shqipëria u përfshi nga një valë masive protestash studentore në dhjetorin e vitit 2018, teksa me mijëra të rinj mbushën “Rrugën e Durrësit” përpara Ministrisë së Arsimit për disa ditë, duke detyruar kryeministrin Rama që të ulej në negociata me ta për kushtet e jetesës si studentë dhe tarifave.
