Këngëtarja Vesa Luma ka reaguar në rrjetet sociale pas finales së Eurovisionit, i cili u mbajt të shtunën dhe ku fituese u shpall Bullgaria, ndërsa Shqipëria u rendit në vendin e 13-të me Alis dhe këngën “Nan”.
Në një postim në InstaStory, Luma ka komentuar raportin që, sipas saj, shqiptarët shpesh e matin suksesin me klikime dhe zhurmë në rrjete sociale, ndërkohë që në Eurovision “realiteti janë votat”.
Ajo shkruan se “mund të jemi vendi i fundit në botë” nëse vazhdojmë të mendojmë se çelësi i suksesit matet me klikime, duke shtuar se bota prej vitesh “ka ecur përpara” dhe është kthyer te realiteti.

Megjithatë, këngëtarja nuk i kursen as kritikat për vetë festivalin, duke e quajtur Eurovisionin “komplet politik” dhe duke theksuar se shanset për fitore janë minimale, por sipas saj nëse do të kishte pasur më shumë vota, Shqipëria do të mund të arrinte të paktën një rezultat më të mirë ose të ngjashëm me vitet e kaluara.
Luma thekson se fokusi i publikut shpesh shkon te shpërndarjet, komentet dhe jehona online “sikur jemi në Big Brother”, ndërsa ajo shprehet krenare për përfaqësimin dinjitoz të Alis, duke thënë se ai e shijoi plotësisht eksperiencën e Eurovisionit.
Në fund, nënvizon se artistët shqiptarë kanë nderuar vendin dhe do të vazhdojnë ta bëjnë këtë, pasi sipas saj jemi popull artdashës dhe me shumë talent.
Por për rezultate më të mira në Eurovision, sugjeron më shumë investim dhe një ekip me organizim më të mirë.
Ndër të tjera, Vesa e cilëson këtë edicion si një nga Eurovisionet “më të dobëta” që ka ndjekur personalisht
