Lajme

“Vetëm studentët ndryshojnë historinë” – Profesori del me thirrje të fuqishme para protestës

Studentët shqiptarë kanë paralajmëruar protestë për sot, 18 maj, duke filluar nga ora 16:30 para Urës së Gurit në Shkup, ku do të kërkojnë që provimi i jurisprudencës të mund të jepet edhe në gjuhën shqipe.

Protesta do të zhvillohet nën moton “Bashkohuni me studentët – të gjithë një zëri”, ndërsa organizatorët theksojnë se qëllimi i tyre është mbrojtja e së drejtës për përdorimin e gjuhës shqipe në provimet profesionale dhe garantimi i trajtimit të barabartë për studentët shqiptarë.

Profesori Sulejman Mehazi në një prononcim për “Bota sot”, thotë se protestat studentore kanë qenë gjithmonë forcë shtytëse e proceseve politike dhe kundërshtare të pushteteve të korruptuara.

Ai kritikon heshtjen e studentëve shqiptarë gjatë qeverisjes 22-vjeçare të Bashkimi Demokratik për Integrim për çështjen e përdorimit të gjuhës shqipe, ndërsa kërkon që protestat aktuale të studentëve në Shkup të jenë të pavarura dhe pa ndikime partiake.

“Protestat e studentëve kanë qenë, janë dhe do të jenë ata i çojnë proceset politike shtetërore në drejtim të duhur, studentët gjithmonë para udhëheqësve shtetëror nacionalist e narcizoit kanë qenë dhe janë opozitë më fortë sesa partitë opozitare.

Themi kështu për shkak se vetëm studentët janë ata që rrëzojnë pushtetet e korruptuara e nacionaliste.

Po të bëjmë një pyetje?

Pse studentët shqiptarë të RMV-së me pushtetin 22 vjeçar të BDI-së kanë qenë të heshtur dhe të nguruar për mos përdorimin e gjuhës shqipe në jurispondencë dhe atë me tetë ministrat e BDI-së të cilët shumica e funksionarëve të BDI-së 22 vjet radhazi kanë dhënë provimin në gjuhën maqedonase, dhe tani në opozitë ju pengon.

Pse është dashur të kalojnë njëzet e dy vjet derisa të vijë VLEN-i në pushtet që studentët të çlirohen për të shprehur padrejtësitë që ju bëhet studentëve shqiptarë të jurispondencës.

Pra çështja e gjuhës në RMV është shumë e ndjeshme për shqiptarët dhe ka implikime të thella kulturore, historike dhe identitare.

Dëshirojmë që protesta e studentëve shqiptarë në Shkup të jetë e pavaruar dhe pa ndikime partia sidomos të BDI-së”, thotë ai.

Image
Sulejman Mehazi

Tutje, Mehazi thekson se protesta e studentëve shqiptarë duhet të ketë si simbolikë mbrojtjen e gjuhës shqipe si pjesë e identitetit kombëtar dhe kundërshtimin ndaj diskriminimit gjuhësor.

Sipas tij, beteja për gjuhën është edhe betejë për dinjitet kombëtar, ndërsa protestat duhet të përcjellin mesazh uniteti, të drejtash dhe ruajtjeje të identitetit kulturor për brezat e ardhshëm.

Mehazi shton se këto reagime tregojnë vetëdije dhe angazhim të studentëve për një shoqëri më të drejtë dhe më të barabartë në Maqedonia e Veriut.

“Simbolika e protestës së studentëve shqiptarë duhet të jetë:

– “Gjuha si identitet”- për shkak se gjuha shqipe nuk është thjesht një mjet komunikimi, por një simbol i identitetit kombëtar. Mbrojtja dhe promovimi i gjuhës shqipe përfaqëson njohjen dhe vlerësimin e kulturës dhe trashëgimisë shqiptare.

– “Politika dhe diskriminimi” – shqiptarët në Ballkan kanë hasur në pengesa për të drejtat e tyre gjuhësore, që ka çuar në ndjenja inforiore dhe të padrejtësisë. Çështjet e gjuhës shpesh lidhen me politikat e diskriminimit dhe margjinalizimit, të cilat e ndërlikojnë situatën dhe bëjnë që shqiptarët të ndihen të kërcënuar në identitetin e tyre.

– Protesta e studentëve të jetë një “Betejë për dinjitet kombëtar”, beteja për gjuhën është pjesë e një lufte më të gjerë për dinjitetin kombëtar. Studentët, duke protestuar për gjuhën shqipe, ngrenë zërin për të drejtat e tyre dhe për të siguruar që brezat e ardhshëm të kenë akses në arsim dhe shoqëri në gjuhën e tyre amtare.

– “Mesazhi për politikanët dhe brezat e ardhshëm”- protestat e studentëve të dërgojnë mesazhe të forta për vlerat e unitetit, përkushtimin për të drejtat e njeriut, dhe rëndësinë e ruajtjes së identitetit kulturor. Protesta studentore të tregojnë se gjenerata e tyre janë të gatshëm të qëndrojnë për atë që besojnë dhe të luftojnë për të drejtat e tyre.

Protestat e tilla janë një shprehje e vetëdijes së lartë dhe angazhimit për një të ardhme më të drejtë dhe më të barabartë. Ato reflektojnë nevojën për të krijuar një hapësirë ku të gjithë ndihen të respektuar dhe të pranuar në RMV-nē e Mickoskit”, përfundon ai.

Të Ngjashme