Lajme

Vetëvendosje rrit numrin e mandateve, shkon në 51 ulëse

Lëvizja Vetëvendosje ka shënuar rritje të numrit të ulëseve në Kuvendin e Kosovës, duke arritur në 51 mandate pas procesimit të një pjese të votave të ardhura me postë nga diaspora.

Sipas të dhënave të deritanishme, janë numëruar rreth 20 për qind e votave me postë, ku Vetëvendosje ka siguruar mbi 69 për qind të mbështetjes. Si rezultat, partia ka fituar edhe një mandat shtesë, duke kaluar nga 50 në 51 ulëse.

Në projektimin fillestar të bazuar në votat e numëruara brenda Kosovës, Vetëvendosje kishte siguruar 48 mandate. Me përfshirjen graduale të votave të diasporës, asaj i janë shtuar tri ulëse të reja.

Mandati i fundit i fituar nga Vetëvendosje ka ndikuar në përbërjen e partive të tjera parlamentare. Këtë herë, ulësja është marrë nga Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, e cila nga tetë mandate ka zbritur në shtatë.

Ndërkohë, sipas rezultateve të përditësuara, Vetëvendosje kryeson me 44.6 për qind të votave në nivel vendi. Pas saj renditet Partia Demokratike e Kosovës me 20.5 për qind, ndërsa Lidhja Demokratike e Kosovës ka 17.26 për qind. Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës mbetet nën pragun prej 7 për qind të votave.

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka bërë të ditur se nga diaspora janë pranuar rreth 85 mijë zarfe me vota. Deri tani janë përpunuar të dhënat e afro 11 mijë votuesve, ndërsa procesi i numërimit po vazhdon.

Të Ngjashme