Qumështorja VITA ka reaguar pas dyshimeve të fundit për tejkalim të nivelit të lejuar të aflatoksinës M1 në një lot të prodhimit të saj, duke kërkuar transparencë të plotë nga institucionet përgjegjëse dhe hetim nga Prokuroria e Shtetit.
Në një reagim publik, kompania ka shprehur shqetësim për, siç e cilëson, kontrollet e vazhdueshme dhe dyshimet e ngritura ndaj saj që nga 2 korriku.
Sipas VITA-s, gjatë kësaj periudhe janë marrë mbi 650 mostra dhe janë kryer më shumë se 30 inspektime, por kompania pretendon se nuk i janë dorëzuar rezultatet përkatëse.
VITA rikujton se fillimisht ishin ngritur dyshime për praninë e vajit të palmës, më pas për përdorimin e qumështit pluhur dhe për ujin e pusit, por sipas kompanisë, asnjëra prej këtyre dyshimeve nuk është vërtetuar.
Ndërkaq, lidhur me zhvillimet e fundit, kompania thotë se është paraqitur një mostër prej vetëm një litri qumësht, për të cilën pretendohet se një lot prodhimi ka tejkaluar kufirin e lejuar të aflatoksinës M1.
Kompania thekson se gjatë 25 vjetëve të veprimtarisë nuk është përballur me asnjë rast të dëmtimit të shëndetit të konsumatorëve, ndërsa përmend edhe certifikatat IFS Food, Halal Food Certificate dhe HACCP, me të cilat thotë se është e pajisur.
Duke shprehur dyshime për trajtim të padrejtë dhe veprime të mundshme të qëllimshme ndaj saj, VITA i ka bërë thirrje Prokurorisë së Shtetit që të hetojë të gjitha procedurat, nga marrja e mostrave deri te rezultatet laboratorike dhe veprimet e institucioneve përgjegjëse.
Po ashtu, kompania kërkon qasje në rezultatet e analizave laboratorike dhe verifikim të pavarur të mostrës së kontestuar.
Në fund të reagimit, VITA u është drejtuar edhe konsumatorëve, duke siguruar se qëndron pas cilësisë së produkteve të saj, të cilat, sipas kompanisë, prodhohen me 100 për qind qumësht nga fermerët vendorë.
“Ne nuk kërkojmë privilegje. Kërkojmë drejtësi, trajtim të barabartë dhe që e vërteta të dalë në dritë”, thuhet në reagimin e qumështores VITA.
